Samiti i klimës në Glasgow, Johnson: Pikë kthesë për njerëzimin, koha të dëgjojmë shkencëtarët
Samiti i Klimës që do të mbahet në Glasgow më nëntor ka qenë në qendër të vëmendjes së kryeministrit britanik Johnson gjatë fjalës së tij në OKB. Ai bëri thirrje për pjesëmarrje masive dhe se duhet të dëgjojmë shkencëtarët për atë që na thonë se ku po drejtohemi.
Toka ku jetojmë nuk është "një lodër e pathyeshme", u tha kryeministri Boris Johnson udhëheqësve botërorë këtë të enjte nga foltorja e OKB-së, ndërsa kërkoi angazhim maksimal për samitin e ardhshëm të Klimës në Glasgow.
Kërkesa për një frenim të rritjes së temperaturave në rang global, kërkon një nismë globale, kanë thënë njëzëri të gjithë ekspertët klimatikë të botës.
Kryeministri Johnson e cilësoi si "një pikë kthese për njerëzimin" samitin e Glasgowt që do të mbahet në muajt në vijim.
Edhe pse ka shumë dyshues për ndryshimet klimatike dhe për pandeminë e koronairusit, Johnson i bëri thirrje të gjithë liderëve dhe qytetarëve në mbarë botën se është koha të dëgjojmë shkencëtarët.
Samiti i për klimën në Glasgow do të mbahet në fillim të nëntorit me qëllim "përshpejtimin e veprimeve të përbashkëta drejt synimeve që ka sanksionuar Marrëveshja e Parisit".
Sipas këtij traktati duhet të mbahet nën fre rritja e temperaturave globale nën 2 gradë Celsius.
Për të ulur sa më shumë emetimin e karbonit në atmosferë, lideri kinez Shi Xhin Ping tha në fjalimin e tij në OKB se gjiganti aziatik nuk do të financojë më projekte të reja energjitike me qymyrgur jashtë vendit.
Gjithashtu edhe Pakistani ka ndërmarrë një nismë tejet ambicioze për të mbjellë mbi 10 miliardë pemë.

