Kriza humanitare,16 mln jemenas drejt urisë vdekjeprurëse nëse nuk ka ndihma deri në tetor

Organizata e Kombeve të Bashkuara thotë se 16 milionë jemenas po marshojnë drejt urisë nëse nuk ka ndihma deri në tetor. E cilësuar si një nga krizat më të rënda humanitare aktuale, Jemeni po shkatërrohet përpara syve tanë, thanë zyrtarët e lartë të OKB-së, nëse nuk merren masa për ndalimin e luftës civile dhe ndihma të tjera humanitare.

Lufta e gjatë në Jemen ka sjellë edhe pasojat e saj të rënda për qytetarët. Vrasje, uri, kampe masive dhe emigracion masiv janë disa nga pasojat.

Deri më tani cilësohet nga ekspertët si kriza më e rëndë humanitare në botë.  

Kreu i Agjencisë së Ushqimit të OKB-së, David Beasley, paralajmëroi se 16 milionë qytetarë në Jemen "po marshojnë drejt urisë", duke shtuar se nëse nuk merren masa të menjëhershme, në tetor do të ketë probleme të rënda me racionet ushqimore.

"Ne kemi nevojë që kjo luftë të përfundojë, numri një," tha Beasley "dhe nëse donatorët po lodhen, mirë përfundojeni luftën".

Ai u bëri thirrje udhëheqësve botërorë që të ushtrojnë presion mbi të gjitha palët për t'i dhënë fund vuajtjeve të popullit jemenas.

David Beasley kërkoi nga Amerika, Gjermania, Emiratet Arabe dhe Arabia Saudite që të rrisin fondet e tyre për Programin Botëror të Ushqimit që të shmangej uria dhe katastrofa në Jemen.

Më herët ka qenë Sekretari i Përgjithshëm Antonoi Guterrese që do të bënte thirrje për ndihma për Jemenin. Donatorët premtuan më pak se gjysmën e shumës prej 3.8 miliard dollarë, shumë të cilën shefi i OKB-së e quajti "zhgënjyese".

Ndërkohë, në gjashtë muajt e fundit ka pasur një rritje të donacioneve por që nuk është në sasinë e duhur për të përballuar krizën humanitare në Jemen apo gjetkë.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken njoftoi një shtesë prej 290 milion dollarësh ndihmë humanitare për Jemenin dhe Bashkimi Europian tha se po bën një shtesë prej 119 milion eurosh për ndihma humanitare dhe zhvillimore.

Jemeni hyri në luftë civile në vitin 2014, kur rebelët Houthi morën kontrollin mbi kryeqytetin Sanaa, duke detyruar qeverinë e Presidentit Mansour të ikte në jug, dhe më vonë në Arabinë Saudite.

Henrietta Fore, shefja e UNICEF-it, tha se 11.3 milionë fëmijë jemenas kanë nevojë për ndihma humanitare për të mbijetuar.

"Në Jemen, një fëmijë vdes çdo 10 minuta nga shkaqe të parandalueshme, përfshirë kequshqyerjen dhe sëmundjet e parandalueshme nga vaksina," tha Fore.