Talibanët sulmojnë qytetet afgane/ Në rrezik qendrat e mëdha, bombardohet aeroporti i Kandaharit
Pas marrjes së zonave rurale, talibanët po avancojnë me ofensivën në zonat urbane duke tronditur më tej peshën e forcave qeveritare. Ushtria afgane thotë se vijon të eliminojë çdo javë militantët të cilët janë fuqizuar tani që kanë ikur thuajse gjithë trupat e huaja në vend.
Tri qytete të mëdha afgane po nënshtrohen nga rebelët talibanë të cilët ushtrojnë tashmë kontrollin në territoret rurale dhe kufitare.
Të dielën herët u bombardua aeroporti i Kandaharit, qytetit të dytë më të madh të vendit.
Ndërsa sulmi la vetëm pasoja materiale, Talibani e justifikoi se baza përdorej nga kundërshtarët për goditjet nga ajri dhe se me marrjen e tij në dorë, tashmë do të kenë hapësirë të manovrojnë më mirë në jug të Afganistanit.
Luftimet mes palëve janë intensifikuar prej fillimit të muajit maj kur trupat e huaja të udhëhequra nga Amerika lajmëruan tërheqjen nga vendi.
Me largimin e mbështetjes ushtarake, forcat qeveritare po hasin vështirësi te fushëbetejat aktive në provincat si Helmandi apo Herati.
"Për momentin, luftimet vijojnë në jug dhe në juglindje. Forcat afgane të sigurisë dhe forcat milice të rezistencës po punojnë bashkërisht për të ndalur ofensivën e Talibanit. Armiqtë po fshihen në banesa dhe po përpiqemi me kujdes të shmangim pasojat mes civilëve."- shprehet Abdul Saboor Qani,
Ushtria afgane e pranon rrezikun në tri provincat kryesore të Afganistanit, por mbetet e vendosur t'i bëjë ballë agresionit dhe më pas, të fuqizojë mbrojtjen për të rimarrë territoret e humbura.
"Javën e kaluar, forcat e mbrojtjes kanë kryer 221 operacione në provinca të ndryshme, ku kanë mbetur 1,323 talibanë të vrarë, mes tyre edhe komandantë, dhe 770 të plagosur."- shprehet Ajmal Omar Shinëari
Talibanët kanë pushtuar edhe më parë qytete afgane, por nuk kanë mundur t'i mbajnë gjatë.
Zyrtarë të lartë dhe gjeneralë amerikanë kanë pranuar se megjithëse janë në fazën e fundit të largimit nga vendi, këto javë kanë shtuar sulmet nga ajri kundër militantëve për të evituar rënien e zonave urbane në dorën e Talibanit.

