Sulçe: Aksidentet nuk ulen me gjoba, koha të dixhitalizohet Unaza e Tiranës dhe rrugët e reja në vend

Rritja e fluksit të automjeteve që qarkullojnë në rrugët e vendit gjatë sezonit veror shoqërohet edhe me aksidente të shumta.

Eksperti autoteknik, inxhinieri Artur Sulçe, në një intervistë për Ora Neës e sheh këtë situatë të lidhur me mosmenaxhimin si duhet të trafikut.

Sulçe: Dy janë sezonet kryesore që vit për vit sjellin aksidente rrugore, stina e verës dhe ajo e dimrit, kur numri i makinave dyfishohet me fluksin nga jashtë. Qoftë nga pushteti qëndror apo lokal duhet të bëhet një matje e plotë e trafikut në mënyrë që tu jepen specialistëve përkatës të fushës dhe në varësi të tyre të bëhet një llogaritje si mund të menaxhohet trafiku. Duke u menaxhuar mirë trafiku nuk do të kishim përdorues rruge që të bëheshin agresor për shkaqe artificiale.

Edhe pse penalitetet për shkelësit e rregullave të qarkullimit janë rritur kjo nuk po përkthehet në ulje të numrit të aksidenteve.

Sulçe: Tani në fund u shtuan penalitet por aksidentet nuk po ulen. Duhen gjetur shkaqet. Penalitetet po i ngremë, po i ngremë, por ka një limit, nuk mund ta ngresh sipas dëshirës çdo herë. U bë gjithë kjo reformë në drejtësi dhe nuk është shkruar asnjë germë për ekspertët.

Këtu fillon trajtimi teknik i aksidentt rrugor që i shkon prokurorit, gjykatës dhe mbi bazën e këtij akti gjykata vendos cili prej përdoruesve të rrugës që është përfshirë në aksident është fajtor. Kjo hallkë te ne mungon.Kemi që në 2009 që në shtetin shqiptar nuk disponohen licenca për të kryer ekspertiza.

Sulçe tërheq vëmendjen për përdoruesit e rrugës që të jenë miqësorë në rrugë njësoj siç janë  në kafe.

Këmbësorët mbeten një burim aksidentesh, pasi në pjesën më të madhe nuk respektojnë sinjalistikën.

Por eksperti  thotë se ne nuk kemi projektuar një mjedis urban të sigurt për ta.

Sulçe: Mjedisin urban nuk e kemi projektuar si duhet si për biçiklistët ashtu dhe këmbësorët. Kemi vijë kalimi këmbësorësh në vende të caktuara ku nuk ka semafor dhe nuk kemi vizë topi para tyre në mënyrë që mjeti kur vjen të ndalojë se është përparësi e këmbësorit. Së dyti, drejtuesit e mjeteve kanë bërë një kurs, kanë bërë një provim, kanë mësuar se çfarë është një sinjalistikë.

Një këmbësor që nuk e ka bërë këtë kursin si do sillet, e zëmë se vjen nga fshati. Në fshat nuk ka vija të bardha, mezi ka vajtur asfalti. 30 vjet kemi që po familjarizohemi me makina, kjo do të ecë hap pas hapi. Për përdoruesin e dobët që është këmbësor duhet punuar në media apo fushata të ndryshme për ti ndërgjegjësuar.

Duke mbetur te Tirana dhe problematika e përhershme e kryeqytetit me trafikun, sidomos në mëngjes, eksperti  tregon masat që duhen ndërmarrë për ta zhbllokuar.

Sulçe: Pavarësisht se bashkia ka vendosur parkimin në Unazën e Madhe, policët që plotësojnë gjobat kur shikojnë një makinë që është vendosur aty që nuk ka dërguar pagesën, do të ishte mirë që në orën 06:30 të dilnin në rrugët me një sens apo dy sense dhe të mos lejonin asnjë makinë të ndalojë për të bllokuar trafikun. Duhet mbyllur çdo lloj furnizimi i të gjitha lokaleve në orën 06:30.

Nuk mund të lejohet asnjë subjekt tregtar që pas kësaj ore të ndalojë makinën aty për tu furnizuar. Lëvizjet nga periferia në qendër ku janë institucionet të jenë me dy drejtime, ndërsa pasdite kur mbaron puna, dy drejtime në ngjitje dhe një në zbritje. Të hiqet parkimi te Unaza dhe të kthehet në korsi për autobusin në mënyrë që mos të marrim makinë por të shkojmë në punë me autobus.

Mundësia në Unazën e Tiranës është për tu bërë.Ka ardhur koha të dixhitalizohet Unaza, rrugët e reja që janë bërë në vendin tonë dhe nuk ja nevojë të dalë polici atje me një radar statik dhe të rrezikojë jetën e vet. Dixhitalizoje dhe ja çon personit apo kolaudimit.