Punonjësi i Pyjores së Patosit rrezikon jetën mes flakëve në pyllin e Gjorgosit

Lufta me flakët ka rrezikuar edhe jetën e punonjësve të ndërmarrjes pyjore,të cilët prej orësh po punojnë me mjete rrethanore, lopata, e pompa uji dore për të shuar zjarrin. 

Bëhet me dije se Punonjësi i Pyjores Patos, Rauf Muskaj, është shpëtuar nga Shërbimi Zjarrfikës Patos pasi ishte  izoluar mes tymit dhe flakëve. 

Fatmirësisht pas dhënies së ndihmës së parë ai nuk paraqet probleme të mëdha shëndetësore. 

Prej paradites së sotme flakët u rindezën sërish në pyllin e Gjorgosit, ndërsa lufta me flakët është e ashpër, kjo edhe për faktin e terrenit të thyer. 

Zjarri favorizohet nga era dhe temperaturat e larta.

Për herë të dytë brenda pak ditësh flakët djegin pishat disa vjeçare të Gjorgosit, ndërsa ende nuk dihet shkaku i tyre.