Velipoja e veshur trashë
Një nga arsyet se pse krime të tilla të shumëfishta riciklohen në jetën e familjeve, fshatrave, qyteteve dhe mjediseve shqiptare, ka të bëjë edhe me faktin shoqëria nuk i analizon, por i përdor ato. Opozitat, si e sotmja dhe ato të mëparshmet, kanë qenë gjithmonë të gatshme për ta parë si dështim operativ një ngjarje të dhimbshme si ajo e Velipojës. Me anë të këtij pikëvshtrimi kërkohet shpallja ‘fajtor’ e e kundërshtarit politik. Nuk vihet gishti në plagë, por kërkohet hapja e një varre të re për ‘tjetrin’ e kundërt politik.
Jo më pas politikës, në shkurtpamësi, mbetet edhe shoqëria e cila tashmë e shpreh vetëdijen në rrjetet sociale, gazetat dhe tv-të e veta, që janë faqet personale në Facebook etj. Rrallë shkohet përtej frustrimit (ndrydhjes) personale apo grupore. Më të zëshmit janë përsëritësit e mesazheve politike. Zërat e pavarur, që reagojnë për një vrasje pavarësisht kohës kur ndodh, në orën demokrate apo socialiste, janë të paktë. Pjesa tjetër, thela e madhe e vetëdijes, gatuhet me miellin e shumtë të militancës.
Fakti që ka një alarmizëm, për disa i tepruar, dëshmon pikërisht se problemi apo thelbi i tij nuk njihet ose shmanget qëllimisht. Ka edhe në Shtetet e Bashkuara një alarmizëm të madh për vrasjet masive (po quajmë kështu ato që përfshijnë mbi disa persona), dhe pas analizave dhe reagimeve ato janë adresuar në një mënyrë apo në tjetër.
Vrasjet terroriste, për shembull, janë minimizuar ose thuajse zhdukur. Qytetet amerikane vazhdojnë të jenë të kërcënuara, dhe jo rrallë zbulohen përpjekje për bomba etj., por ka vite që aktet terroriste në territor amerikan nuk duken. Kjo ka të bëjë me faktin e thjeshtë se pas analizës së duhur u morën edhe masat korresponduese. Departamenti i Homeland Security, për shembull, është një mekanizëm i ngritur pas 11 shtatorit, pikërisht për të shmangur aktet terroriste në tokë amerikane. Qeveritë amerikane kanë hedhur burimet monetare e njerëzore në këtë drejtim. Rezultati ka qenë spektakolar, edhe pse shumë liberalë të majtë ankohen për kufizim të të drejtave të njeriut (të majtët këtë bëjnë zakonisht: ulërasin për të drejtat dhe harrojnë detyrimet).
A mund të thuhet e njëjta gjë për vrasjet si devijime apo frustrime psikologjike dhe shoqërore? Aspak. Ato janë një shoqërues i kronikës amerikane. Reagimi ka qenë i fuqishëm edhe për to, por rezultatet kanë qenë minimale. Megjithatë, edhe këtu është shënjestruar shkaku. Armët, thonë mediat kryesore dhe politikanë demokratë të së majtës, gjë që përbën një ndryshim në ton nga republikanët apo qarqe shoqërore më konservatore të përqendruara kryesisht në shtet e qendrës, të jugut apo perëndimit të thellë. Arma vazhdon të shihet si një e drejtë e pakundërshtueshme e sanksionuar edhe me amendamente kushtetuese.
Për t’u kthyer te Velipoja jonë, cilat janë shtresat kryesore të krimit ku humbën jetën katër persona, u plagosën dy të tjerë dhe u futën dy familje në gjak?
Shtresa e parë janë, sigurisht, kufijtë porozë të pronës. Për këtë mund të fajësosh pa shumë zor si majtas ashtu edhe djathtas. Prona është një plagë mbi të cilën kanë hedhur shpërfillje qeveritë demokrate dhe socialiste. Prona është vrasësi më i madh serial në Shqipërinë e tranzicionit. Mbetet edhe sot problem i pazgjidhur, dhe një pushkë me gisht në këmbëz që pret të luajë sërish marshin e vdekjes.
Shtresa e dytë janë armët. Kontrolli mbi to është joekzistent, sa kohë që në një tavolinë me tetë vetë, të gjithë kanë armë dhe katër prej tyre vriten e dy plagosen.
Policia nuk e bën punën e vet dhe organet kompetente nuk kanë një databazë mbi armët në qarkullim në Shqipëri. Armët e ‘97 janë aty, shtoju atyre edhe kontrabandën nga vendet kufitare. Kronikat e vrasjeve në Shqipëri popullohen nga mbreti i rastit ‘Kallashnikovi’, dhe ndiqen nga një arsenal armësh që nis me Zastavat dhe mbyllet me ato më ekzotiket.
Shtresa e tretë, po aq e rëndësishme, është verbëria e institucioneve dhe njerëzve që i popullojnë ato, për pasojat që kanë vendimet e tyre. A kanë qenë të drejta institucionet vendore/qendrore në rastin e Velipojës? Kujt i takonte hapësira për të cilët u konfliktuan dy familje? A ishte shteti arbitrar apo i ndershëm në përcaktimin e ‘pronësisë’ së përkohshme aty? A është bërë ndarja ndershmërisht apo nëpërmjet praktikave korruptive?
Nëse nuk bëhen të gjitha këto pyetje me vërtetësi dhe nëse nuk gjejnë përgjigje me ndershmëri, nuk do të ketë drejtësi dhe padrejtësia e vrasjes së fundit do të përsëritet.
Miku im Monsignor Gjergj Meta shpesh e gjen veten në anën e pikëllimit për raste të tilla që prekin komunitetin katolik, bari shpirtëror i të cilit është. Duhet thënë se kisha katolike ka bërë plot dhe madje ka luajtur shtetin e munguar në komunitetet ku ai shërben. Megjithatë a i duhet mëshuar mesazhit, në predikimet e së dielës, që ta dëgjojnë gratë, fëmijët apo burrat, se ajo që nuk zgjidhet me drejtësi nuk zgjidhet as me plumba. Një zgjidhje e ka, por vdekja është thuajse gjithmonë e gabuara.
A mund të ishte më endemik, më i thellë roli i priftërinjve në komunitet? Asaj që dikur e zgjidhte kuvendi dhe kanuni i Lekës, tashmë i mungojnë të gjitha ndërmjetësitë. Shteti ka dështuar në rolet e veta, pleqësitë e kanë humbur autoritetin, nenet e Kanunit lexohen vetëm sipas optikave të interesit jo të frymës së librit.
Kisha ka mbetur si autoriteti i fundit. Imagjinoni sikur ky autoritet të ishte i tillë, sa dy familjet e zonës (njëra prej tyre muhamedane) të mos shkonin në tryezën e bisedës, që u kthye në shesh morti, me armë, por me famullitarin e Velipojës si ndërmjetës.
Kisha ka punët dhe hallet e veta, por ndoshta i duhet ta bëjë edhe këtë. T’u kërkojë besimtarëve që të lypin ndërmjetësimin e saj kur ka konflikte. E di parullën ‘kisha është e ndarë nga shteti’, por ky i fundit vetëm sa ha bukën e taksave tona dhe çfarë tepron e nusretizon në të gjitha format.
Këto janë gjithë ato shtresa mbi vrasjen e së shtunës në Velipojë. Nuk durohen të gjitha, sidomos në një stinë me kaq shumë zheg si kjo verë. Kur ato hiqen ama, pamja e gjërave zbulohet dhe shpina e Shqipërisë ka pamjen e trupit të fshikulluar të Krishtit para se të vendoset në kryq.

