Mbretëresha Elizabeth uron Harry dhe Meghan për lindjen e Lilibet: Të lumtur për princeshën
Mbretëresha Elizabeta e II është shprehur shumë e lumtur me ardhjen në jetë të princeshës së vogël, Lilibet "Lili" Diana Mountbatten-Windsor. Vajza e Dukës dhe Dukeshës së Sussex-it lindi të premten në SHBA dhe gëzon shëndet të plotë. Nëpërmjet një deklarate për mediat, Pallati Buckingham shprehej:
"Mbretëresha, Princi i Uellsit dhe Dukesha e Cornwall, Duka dhe Dukesha e Kembrixhit janë të gëzuar për lindjen e vogëlushes ."
Princi i Uellsit dhe Duka i Kembrixhit gjithashtu uruan çiftin në rrjetet sociale.
"Urime Harry, Meghan dhe Archie për ardhjen në jetë të foshnjës Lilibet Diana. Urojmë të jeni të gjithë mirë, sidomos në këtë kohë që po kalojmë".
Të shumta kanë qenë urimet edhe nga zyrtarët britanikë, mes tyre ishin kryeministri Boris Johnson dhe lideri I Partisë së Punës ,Sir Keir Starmer.
Stërmbesa e 11-të e Mbretëreshës lindi të Premten në një spital në Santa Barbara, Kaliforni. Ajo do të mbajë emrin, Lilibet, I cili ishte pseudonimi i Mbretëreshës kur ishte fëmijë. Princi Harry dhe Meghan thanë se emri i dytë i foshnjës, Diana, u zgjodh për të nderuar "gjyshen e saj të ndjerë", Princeshën e Uellsit. Lilibet është e teta në radhën e fronit birtanik.
Çifti Meghan dhe Harry, një ditë më parë, shprehën falenderime për të gjithë ata që ofruan mbështetje për familjen. Ata nuk kanë publikuar ende asnjë foto të vajzës së tyre.