Dua të jem Kryeministri i të gjithë shqiptarëve!
Pjesë nga fjalimi i kryeministrit Rama në festën e PS në sheshin "Skënderbej" pas fitores së mandatit të tretë në zgjedhjet e 25 prillit.
Unë dua të jem Kryeministri i të gjithë shqiptarëve, jo vetëm i atyre që më dhanë mandatin e tretë, jo vetëm i socialistëve por edhe i demokratëve, jo vetëm i atyre që votuan por edhe ai atyre që nuk fituan fare.
Dua që Shqipëria të ngjitet në majën ku Zoti e deshi, e qëndisi me aq përkujdesje si një zonjë me hire magjepsëse duke futur brenda në një vend kaq të vogël dy dete, njëri më i bukur se tjetri, një diell që edhe kur nuk ngroh ndrit mbi trupin e saj gjatë gjithë vitit. Plot 152 lumenj dhe përrenj përgjatë tërë trupit të mahnitshëm të saj.
Dua që Shqipëria të mos vuajë më nga dora e mbrapshtë e robit që për kaq shumë kohë, o Zot sa shumë kohë e ka penguar këtë popull që ta marrë siç i takon pjesën e tij nga kjo dhuratë e Zotit me emrin e bukur Shqipëri.
Unë dua që Shqipëria përtej pandemisë të bëhet vendi ku shqiptarët të jenë krenarë jo vetëm për bukuritë e vendit të tyre, gjuhën, historinë, traditën, bujarinë, heronjtë, këngët dhe vallet, artistët, poetët, shkrimtarët e tyre, por edhe për këtë shtëpi të madhe ku jetojnë dhe lindin fëmijët e tyre që quhet Shqipëri.
Unë dua që Shqipëria që përballoi me aq karakter dhe durim tërmetin dhe pandeminë të përballet me të njëjtin karakter dhe po atë durim dhe me të këqiat e kësaj shoqërie ku politika e para duhet të përballet me vetëveten për ta tejkaluar adoleshencën e saj kaq problematike, e cila ka zgjatur kaq tepër duke e tepruaer me vicklat, dënglat, sherret dhe zhurmën e vet të padurueshme.
Unë dua që nga unë i pari, të nisim një përpjekje reale, serioze, të vërtetë dhe të vështirë sa të duash për tu bërë shumë më të vetëdijshëm në çdo qelizë se çdo fjalë që nxjerrim, çdo vendim që marrim, çdo veprim që bëjmë dhe çdo hap që duam të hedhim ndikon për mirë apo për keq direkt mbi njerëzit e këtij vendi, mbi të rinjtë që gjuhën e nënës kanë shqipen, mbi shëndetin shoqëror dhe moral të popullit tonë, mbi vetë të ardhmen e Shqipërisë dhe kombit shqiptar. Unë nuk dua që mandati i tretë të ngjajë si vazhdim i dy të tjerëve në aspektin e komunikimit dhe debatit mes nesh.
Ne nuk kemi pse të biem dakord me pahir por ama nuk kemi pse që mosdakordësinë ta kemi kaq ndotëse, kaq mbytëse dhe ulëritëse. Cilësia e bashkëjetesës qeverisëse nuk matet me sa shumë biem dakord por me mënyrën si e administrojmë dakordësinë. Mosdakordësia është ushqim për demokracinë jo helm për popullsinë. Pushteti për mua nuk është qëllim por vetëm mjet për të arritur qëllimet për Shqipërinë.
Me PD na ndajnë natyrshëm shumë gjëra por jo qëllimet madhore për Shqipërinë. Socialistët e demokratët duan ta bëjnë Shqipërinë anëtare të BE-së por duke e bërë integrimin europian hendek balte dhe armë për të asgjësuar njëri-tjetrin, ky qëllim kaq i madh nuk shpejtohet por vetëm vonohet.
Socialistët dhe demokratët shqiptarë në çdo qytet, çdo fshat nga jugu në veri duan nga të dyja palët që të rrisin ekonominë dhe mirëqënien por duke nxirë çdo ditë shqiptarëve me ziftin e rrugëve të komunikimit mes palëve, rritja e ekonomisë dhe mirëqënies nuk shpejtohet por vetëm pengohet.
Socialistët dhe demokratët shqiptarë duan që vajzat dhe djemtë e tyre të mos ikin nga Shqipëria prej hallit por vetëm kur dëshirojnë ta provojnë veten jashtë kufijve të saj. Por një shtëpi ku të mëdhenjtë bëjnë vetëm sherr dhe nuk merren vesh për asgjë, fëmijët e vet i mban brenda veç prej zorit dhe hiç prej qejftit të qenit bashkë në një çati. E pra, nuk mjafton ta themi përditë si në një garë frenetike sesa shumë e duam Shqipërinë, sesa të përvëluar jemi për flamurin e Europës, sesa të përkushtuar jemi për qytetarët e këtij vendi, sesa të prekur jemi nga varfëria e një pjese prej tyre apo sa të inatosur jemi me atë që u bien në qafë të tjerëve lart e poshtë në këtë vend.
Jo, nuk mjafton të jemi të zotët me fjalë por duhet ta tregojmë me vepra, se ne përfaqësues të këtij populli jemi më të mirë sa dukemi kur i hidhemi në fyt njëri-tjetrit, kur e godasim njëri-tjetrin me fjalën e fundit apo me bojë e çizme, kur bëhemi gazi i botës me lojën macja me miun, dhe kur i bëjmë Shqipërisë në sytë e komunitetit ndërkombëtar atë që as armiqtë nuk i bëjnë dot këtij vendi. Ky është vendi ynë e në këtë vend nuk mund ta duam me pjesë, as nuk mund ta ndajmë në pjesë.
E di që ta thuash me fjalë është shumë më lehtë sesa ta bësh por unë jam më i gatshëm se asnjëherë tjetër që të përpiqem me të gjithë forcat e mia që edhe ta bëj. E di mirë po ashtu se nuk mjafton vullneti im, as i imi dhe as i gjithëve ne fituesve sepse duhet dhe vullneti i PD dhe kujdo që do ta drejtojë atë në katër vitet e këtij kapitulli të ri të jetës tonë demokratike.
Por unë e kam mësuar dhe e kam provuar më shumë se njëherë në jetën time, për dreq tani nuk është as e shkurtër kjo jeta ime, se asgjë që njeriu e ëndërron me sy hapur nuk është e pamundur dhe ëndrra ime me sy hapur është që Shqipëria e kësaj dekade që nis me mandatin e tretë radhazi të PS të bëhet kampione e Ballkanit.
Mandati i tretë është mandati më i fortë që një shumicë qeverisëse ka pasur ndonjëherë. Ne do ta realizojmë këtë megaprojekt me gjithë energjinë që shumica dërmuese e zgjedhësve sapo na e ka dhënë.
Por nëse arrijmë që ti bashkojmë forcat me PD-në për të gjithë ato qëllime dhe objektiva që nuk na ndajnë por na bashkojnë, kjo dekadë do të hyjë në histori jo vetëm për çfarë bëmë për Shqipërnë por edhe për çfarë nuk vazhduam të bëjmë kundër interesit të saj dhe qytetarëve të këtij vendi pa dallim.
Dy dasitë e mëdha që vazhdojnë ta bëjnë të rrëshqitshme tokën nën këmbët e Shqipërisë që ka ecur shumë përpara në këto vite por kurrësesi aq sa mund të kishte ecur pa këto dy dasi janë tmerrësisht të vështira për tu kapërcyer por po kaq e tmerrshme është të mos përpiqemi ti kapërcejmë dhe t'ia lëmë pëshqesh gjeneratës tjetër bashkë me stafetën tonë.
E para është dasia e hapur që në Luftën Botërore, komunist dhe nacionalist, e thelluar si nuk ka më zi gjatë dekadave të diktaturës enveriste dhe e trashëguar prej komunizmit si një mallkim që na ndjek nga pas duke përçarë shqiptarët deri në fshatin më të largët përmes një thike që i bëjnë të harrojnë se në radhë të parë janë shqiptarë.
Unë kam lindur shqiptar, nuk kam lindur socialist. Për mua demokratët janë shqiptarë, pastaj janë demokratë. Këtu sot mungon dikush që punoi për këtë fitore, miku i shtrenjtë, Bashkim Fino. E imagjinoj këtu bashkë me ne, duke festuar për fitoren tonë të mrekullueshme. Por, u desh të ikte nga kjo botë, Bashkimi ynë i dashur, që të gjithë të bashkoheshin e të kujtoheshin se vdiq një shqiptar i mirë.
Mallkimi i së shkuarës nuk na ka lejuar kurrë që në skenën e politikës të jemi bashkë në të gjallë. Vetëm në ditët e zeza kemi mundur të mendojmë se nëna nuk na ka bërë për t’u bërë ujq për njëri-tjetrin. Ndasia tjetër është ajo që duket edhe sot në hartën elektorale. Mjafton të dallosh ngjyrat, një ndasi e kuptueshme për Shqipërinë e lëngatave.
Kjo është fiks ora për t’ia shtrirë dorën PD, duke e bërë të qartë se mandatin e tretë duam t’ia kushtojmë bashkimit, jo ndasive, punëve, jo sherreve. Politika na ka ndarë, politika mund të na bashkojë, sepse politika është e vetmja në tokë, që di t’i bëjë të dyja.
Që njerëzit e dalë nga pylli të mos hanë njëri-tjetrin, por të bëjnë gjëra që të vetmuar nuk i bëjnë dot. Edhe Shqipërinë, në majën ku Zoti e deshi kur e krijoi, politika e ka penguar të ngjitet dhe politika mund ta cojë. Prandaj, le të përpiqemi ta vëmë politikën më shumë se asnjëherë më parë në dispozicion të Shqipërisë, të amanetit të rilindësve dhe heronjve tanë, të borxhit që u kemi fëmijëve tanë.
Shqipëria është shumë e vogël për të mos u bërë dot ajo që meritojnë shqiptarët. Shqipëria bëhet dhe do ta bëjmë ne, shqiptarët e kësaj dekade. Do të rinisim punën që nesër me një vrull të ri, nga shërimi i plotë dhe i shpejtë i krejt plagëve të tërmetit dhe shporrja e armikut të padukshëm, ta luftojmë me një ambicie të re armikun brenda vetes, që na tërheq në rrugën e ndasisë e të sherrit.
Shqipëria fitoi më 25 prill, tani është radha jonë të fitojmë çdo ditë për Shqipërinë e të gjithë shqiptarëve. Zoti qoftë i duruar me ne dhe ne të duruar me njëri-tjetrin. Rroftë PS, rroftë i madh e i vogël që ka lindur shqiptar. Rroftë Shqipëria!