Letër mirënjohje për miqtë e mi, lufta jonë nuk përfundon këtu
Mirënjohje të thellë për të gjithë miqtë e mi, të afërmit, socialistë, të pakënaqur, të cilët më 25 prill besuan në dinjitetin e personit tim, iu përgjigjën thirrjes sime për tu drejtuar kutive të votimit dhe për të votuar ndryshimin.
Që në momentin që ju takova personalisht dhe ju kërkova votën, besimi im ishte se ju nuk do më zhgënjenit dhe kështu ndodhi.
Respekte pa fund që kanalizuat me votë, të ardhmen tuaj.
Ajo që dua sot t’ju them është se ju nuk keni humbur, por me këto zgjedhje ka humbur dhe është varrosur njëherë e përgjithmonë demokracia.
Por lufta jonë e përbashkët nuk përfundon këtu.
Lufta për demokraci është e gjatë dhe e lodhshme. E di që shumë prej jush që i besuat thirrjes sime dhe referuat votën në kutinë e votimit, jeni të mërzitur, jo sepse vota juaj nuk u përkthye në fitore, por sepse edhe njëherë nuk mundi të triumfonte mbi barbarinë e shitblerjes së votës.
Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar nuk janë të kulluar.
Madje mund të them se nëse do ti numëroja do gjeja shumë më shumë cene të papëlqyeshme por edhe pakënaqësi që lidhen me mënyrën e ngathët se si interferon te elektorati i saj, por edhe në mendjen dhe shpirtrat e atyre njerëzve që në thelb nuk kanë përmbajtje politike.
Miq, Partia Demokratike në këto zgjedhje, e vetme, mundi të marrë 600 mijë vota, në kushtet kur përballë kishte makinerinë më të madhe të votave në pushtet, atë të Rilindjes.
E kuptoj marazin që lind së brendshmi dhe vjen si revoltë e drejtë te ju, për shkak të lodhjes nga opozita e gjatë, por edhe për shkak të pushtetit arrogant që ka akumuluar Rilindja.
Sot kam pasur shumë telefonata dhe kam ndjerë pezmin tuaj në çdo fjalë.
Shumë prej jush kanë kërkuar edhe dorëheqjen e Lulzim Bashës dhe unë ju pyeta konkretisht nëse keni një projekt tjetër që mund të zëvendësojë kreun aktual të PD.
Askush prej jush nuk më përcaktoi një profil. Basha sot nuk humbi.
Të marrësh 600 mijë vota, 80 mijë më shumë se në zgjedhjet e vitit 2017, unë do ta quaja një sukses në kushtet kur të gjithë jemi dëshmitarë të shitblerjes dhe deformimit masiv të votës.
Por a mjafton ky sukses?
Unë them se jo.
Por a është koha të gjejmë shkaktarin brenda nesh, kur shkakun e kemi përballe?
Unë them prapë jo.
Por humbja nuk ngushëllon në të tilla momente. Kokën lart miqtë e mi, vetëm kështu do ngrihemi mbi mërzinë.
Duhet të fillojmë menjëherë përgatitjet për të mposhtur makinerinë e Rilindjes.
Zgjedhjet e ardhshme nuk janë larg.
Opozitës i lind dyfish angazhim të vetëkorigjohet, duke filluar nga Tirana dhe të gjitha degët lokale. Pa përjashtuar askënd, por duke afruar pranë vetes të gjithë ato burime njerëzore që do të bëjnë të mundur kthimin e opozitës në pushtet.
Shumë njerëz të cilët këtë herë na besuan, janë me sytë nga se çfarë do të bëjmë.
Ne nuk duhet të bëhemi si ata. Kriminelët, bandat, hajdutët, nuk kanë punë me ne. Por në 600 mijë vota ne mund të gjejmë brenda shtëpisë tonë të madhe, burimet më të mira intelektuale për të kthyer opozitën në pushtet.
Dhe sigurisht edhe mekanizmat për të na çuar drejt fitores në zgjedhjet e ardhshme, që vijnë pas dy vitesh.
Ju jam shumë mirënjohës edhe njëherë të gjithë juve që ju kam rënë në qafë gjatë kësaj kohe dhe dolët dhe ma shpërblyet besimin te unë me votë pa kërkuar asgjë në këmbim të votës.


