Rrezikon deri në 40 vite burg, Derek Chauvin shpallet fajtor për vrasjen e George Floyd

Ish-oficeri i policisë së Mineapolisit, Derek Chauvin, u shpall fajtor për vrasjen e afro-amerikanit, George Floyd, e cila shkaktoi seri protestash në të gjithë botën.

Juria me gjashtë anëtarë të bardhë dhe gjashtë anëtarë me ngjyrë, e mori vendimin të martën pasi diskutoi rreth 10 orë gjatë dy ditëve në një qytet në ankth se mund të kishte një shpërthim tjetër trazirash.

Pas shpalljes së vendimit, turma që ishte mbledhur jashtë gjykatës shpërtheu në brohoritje dhe duartrokitje.

Shumica thërrisnin emrin e George Floyd, ndërsa të tjerët bërtisnin :"Jeta e personave me ngjyrë ka rëndësi" dhe "fajtor".

"Kush fitoi? Ne fituam “, ishte një nga parullat jashtë gjykatës, ndërsa makinat kalonin duke i rënë borisë, raporton BBC.

Ndërkohë një burrë i tha turmës përmes mikrofonit: "Mos lejoni askënd t'ju thotë se protesta juaj nuk sjell rezultate".

Avokati i familjes së George Floyd përshëndeti vendimin e jurisë si një "pikë kthese në histori".

"Fajtor! Drejtësia e dhimbshme më në fund iu dha familjes së George Floyd. Ky vendim është pikë referimi për historinë tonë," thotë avokati Ben Crump.

Rrezikon deri në 40 vjet burg

Megjithëse sistemi i drejtësisë penale dhe juritë në Shtetet e Bashkuara prej kohësh kanë qenë tolerante dhe u kanë dhënë disa mbrojtje ligjore oficerëve të policisë që përdorin dhunë ndaj civilëve, juria në Mineapolis arriti në përfundimin se zoti Chauvin e kishte kaluar kufirin dhe kishte përdorur forcë të tepruar.

Chauvin u shpall fajtor për tre akuza: vrasje e shkallës së dytë, vrasje e shkallës së tretë dhe vrasje pa dashje.

Garancia e tij u revokua menjëherë dhe u vendos në paraburgim. Dënimi ka të ngjarë të ndodhë brenda dy muajsh, dhe Chauvin mund të kalojë dekada në burg.

Në Minesota, vrasja e shkallës së dytë mbart një dënim maksimal prej 40 vitesh burgim. Vrasja e shkallës së tretë dënohet deri në 25 vjet burg. Vrasja e shkallës së dytë dënohet me burgim deri në 10 vjet.

Reagimet

Presidenti Joe Biden dhe Nënpresidentja Kamala Harris e ndoqën dhënien e vendimit së bashku me ndihmësit e tyre stafin në Shtëpinë e Bardhë.

Zoti Biden, zonja Harris dhe zonja e parë Jill Biden të gjithë folën në telefon me vëllain e George Floyd, Philonise Floyd nga Zyra Ovale, tha Shtëpia e Bardhë.

Më pas nënpresidentja dhe presidenti folën nga Shtëpia e Bardhë.

“Sot ne marrim frymë të lehtësuar por kjo nuk e zhduk dhimbjen. Një vendim i drejtë nuk është i barazvlefshëm me drejtësi të barabartë. Ky vendim na sjell një hap më afër, dhe fakti është që kemi akoma punë për të bërë”, tha zonja Harris duke shtuar se “ duhet të reformojmë sistemin”.

Presidenti Biden tha se racizmi sistematik “është një njollë në shpirtin e vendit tonë”.

“Vrasja e George Floyd solli një verë protestash, të cilën nuk e kishim parë që nga epoka e të drejtave civile të viteve ’60. Protesta, ku njerëzit e çdo race, çdo brezi dhe në paqe, dolën të thonin ‘Mjaft, mjaft, mjaft me vrasjet e pakuptimta. Vendimi i sotëm është një hap përpara”, tha Presidenti Biden.

“Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, dhe vendimi i sotëm e dërgon këtë mesazh, por nuk është e mjaftueshme. Nuk mund të ndalemi këtu. Për të sjellë ndryshime dhe reforma reale, ne mund dhe duhet të bëjmë më shumë për të reduktuar gjasat që tragjedi si kjo të ndodhin përsëri”, tha presidenti.

Edhe ish-presidenti Barack Obama dhe Michelle Obama, lëshuan një deklaratë:

“Sot një juri bëri veprimin e duhur. Por drejtësia e vërtetë kërkon shumë më tepër. Michelle dhe unë i dërgojmë lutjet tona familjes Floyd dhe qëndrojmë në krah të gjithë atyre që janë të vendosur të garantojnë për çdo amerikan drejtësinë e plotë që ishte mohuar për George dhe aq shumë të tjerë”, shprehen ata.