Meta vlerëson me titullin “Mjeshtër i madh” disa personalitete të sportit në Vlorë: Djepi i sportistëve të talentuar
Presidenti i vendit, Ilir Meta ka vlerësuar me titullin “Mjeshtër i madh” disa personalitete të sportit në qytetin e Vlorës.
Meta për këtë vlerësim shkruan se Vlora ka qenë dhe mbetet djepi i sportistëve të talentuar, të cilët kanë arritur rezultatet më të larta në të gjitha disiplinat.
Meta: Vlora ka qenë dhe mbetet djepi i sportistëve të talentuar, të cilët kanë arritur rezultatet më të larta në të gjitha disiplinat, duke nderuar fanellën e ‘Flamurtarit’ dhe përfaqësuar denjësisht Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. Ndihem shumë i lumtur, që në qytetin e tyre të lindjes, të vlerësoja me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” disa prej personaliteteve më të shkëlqyera të ekipit të mundjes së “Flamurtarit”, kampionin e paharruar Safet Abazi, si dhe mjeshtrat e shquar të mundjes klasike, Ruzhdi Zeneli, Shkëlqim Korkaj, Ilirjan Korkaj dhe Fitus Korkaj.
Pata kënaqësinë të nderoja gjithashtu Kampionin e Botës dhe të Evropës në bilardo, Roland Panozaqi, peshëngritësin e talentuar, Edmond Gjoka, si dhe kampionin e më pas trajnerin e ping-pongut, Kastriot Rukaj. Mbështetur mbi këto tradita dhe trashëgimi të shkëlqyer, t’i orientojmë dhe t’i edukojmë të rinjtë vlonjatë drejt sportit, edukimit cilësor e vlerave qytetare, për t’i larguar ata nga veset dhe për t’i rikthyer “Flamurtarit” shkëlqimin e dikurshëm, në të gjitha disiplinat sportive.