Momenti i shembjes së murit që zbuloi arsenalin e armëve në banesën e Sokol Xhurës
Kontrolli i banesës së Sokol Xhurës një nga të arrestuarit e procedimit të nisur ndaj Gjergj Cukalit, ka zbuluar një arsenal armësh që mbaheshin të fshehura në një ambient të izoluar në pronën e tij. Kërkesa për kontroll është bërë nga Prokuroria e Posaçme, e cila ka në hetim grupin kriminal.
SPAK dhe Policia e Tiranës kanë zbuluar një tjetër bazë armatimesh të grupit të vrasjeve të me pagesë. Bazuar në procedimin penal ndaj Gjergj Cukalit dhe vëllezërve Jamaku, ku këta të fundit janë bërë bashkëpunëtorë të drejtësisë, është arritur të lokalizohet një tjetër arsenal armësh.
Sipas SPAK, arsenali është gjetur në banesën e Sokol Xhurës në Tiranë në një ambient të izoluar me mur në banesën e tij.
Vendstrehimi sipas SPAK ishte krijuar brenda ish-ndërmarrjes artistike "Migjeni" në Tiranë, objekt në përdorim e pronësi të familjes Xhura.
Vetë Sokol Xhura është i arrestuar në kuadër të operacionit 'Kompleks', i cili vijon të jetë i hapur për të zbardhur ngjarje të tjera kriminale.
Mëngjesin e kësaj të shtune , me kërkesë të SPAK, është kryer një kontroll në rrugën" Xhanfize Keko", në ambientet e Sokol Xhurës.
Policia gjyqësore, pasi ka realizuar rrëzimin e murit, ka zbuluar depon e fshehur, ku janë gjetur arme të llojeve të ndryshme, kalibrave të ndryshëm, municione luftarake, lëndë plasëse të ndryshme, si dhe armë të kalibrave të ndryshëm me dylbi, etj.
Vetëm pak ditë më parë Policia e Shtetit në bashkëpunim me SPAK zbardhi 3 ngjarje të rënda të ndodhura në Tiranë në periudhën 2017-2019, mes të cilave edhe vendosja e eksplozivit shtetasit Artan Bylyku, kunati i Domart Konjarit, i cili akuzohet si porositësi për vrasjen e Devi Kasmit në vitin 2018.
Gjithashtu u zbuluan edhe 18 baza ku mbaheshin të fshehur armë të llojeve të ndryshme.