Situatë shqetësuese në kufirin ukrainas, presidenti vizitë në vijën e zjarrit: Kemi 26 të vrarë këtë vit
Në kufirin lindor të Ukrainës po rrezikon të zhvillohet një përballje e armatosur me forcave ukrainase dhe atyre ruse në rajonin e Donbasit. Kancelarja gjermane, Merkel, ka kërkuar tërheqjen e Rusisë nga vija e zjarrit, ndërkohë që SHBA-ja thotë se agresioni rus është shqetësues.
Shtimi i trupave separatiste ruse dhe i ushtarëve ukrainas në kufirin mes dy vendeve po kthehet në një kërcënim për sigurinë.
Tensionet në rajonin e Donbasit u rritën javët e fundit duke përshkallëzuar një konflikt që shpërtheu në vitin 2014, kur Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë nga Ukraina.
Pas kancelares gjermane, Angela Merkel, e cila e bisedoi çështjen me presidentin rus, Vladimir Putin, edhe SHBA-ja dënoi të enjten agresionin e Moskës në Ukrainën lindore.
"Rusia tani ka më shumë trupa në kufirin me Ukrainën sesa asnjëherë tjetër që nga viti 2014. Vetëm këtë javë janë vrarë pesë ushtarë ukrainas. Këto janë shenja shumë shqetësuese."
Kremlini deklaroi pas telefonatës me kancelaren Merkel se zhvillimet po i provokon pala ukrainase dhe se trupat e saj nuk përbëjnë kërcënim.
Ndërkohë, presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelensky, fluturoi një ditë më parë në vijën e parë të konfliktit në Donbas.
Kryeshtetari 43-vjeçar apeloi këtë javë NATO-n t'i hapë rrugën vendit për anëtarësim në bllokun ushtarak, si mënyra e vetme për t'u mbrojtur nga agresioni rus.
"Situata në Donbas po përkeqësohet. Ushtarët tanë po qëllohen me snajperë. Kemi 26 të vrarë që nga fillimi i vitit dhe kuptohet se ushtria do të kundërpërgjigjet."
Ukraina pretendon se forcat separatiste ruse në Donbas financohen dhe ndihmohen me armatime nga Rusia, ndërkohë që Moska ka paralajmëruar qeverinë ukrinase të mos luajë me konfliktin si "fëmijët me shkrepëset", pasi Rusia është gati të ndërhyjë në çdo rast për të mbrojtur qytetarët e vet në Donbas.