Aneksimi i Krimesë, Biden: Rusia do mbajë përgjegjësi për abuzimet dhe agresionin

7 vjet pas aneksimit të gadishullit të Krimesë nga Rusia, presidenti amerikan Joe Biden i është drejtuar me tone të ashpra këtë të premte Moskës. "Ne do të vazhdojmë të punojmë që Rusia të mbajë përgjegjësi për abuzimet dhe agresionin e saj në Ukrainë, -  tha Biden .

Presidenti amerikan Joe Biden i është drejtuar me tone të ashpra këtë të premte Rusisë.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ta mbështesin Ukrainën kundër agresionit rus dhe kurrë nuk do ta njohin aneksimin e Krimesë nga Kremlini.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë i bëri këto komente në përvjetorin e e shtatë të aneksimit të gadishullit të Krimesë nga Moska.

"Shtetet e Bashkuara nuk e njohin dhe nuk do ta njohin kurrë aneksimin e pretenduar të Rusisë të gadishullit të Krimesë dhe ne do të qëndrojmë krah Ukrainës kundër akteve agresive të Rusisë. Ne do të vazhdojmë të punojmë që Rusia të mbajë përgjegjësi për abuzimet dhe agresionin e saj në Ukrainë," tha Biden .

Rusia e aneksoi Krimenë në vitin 2014 dhe mbështet separatistët në dy provinca në Ukrainën lindore. Prej luftës në Ukrainën lindore deri më tani kanë humbur jetën më shumë se 13,000 njerëz. Presidenti amerikan e përsëriti edhe më herët, në Konferencën e Sigurisë së Mynihut se integriteti dhe sovraniteti territorial i Ukrainës ishte "i një rëndësie jetike" për Uashingtonin dhe Brukselin.

Administrata e Biden ka thënë se ende po kryen rishikimet e saj të politikës së jashtme në lidhje me Rusinë, Kinën dhe fushat e tjera me rëndësi.

Kreu i Zyrës Ovale, megjithatë, ende nuk ka zhvilluar një bisedë me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, që nga marrja e pushtetit më 20 janar.