Presidenti: Kina ka arritur fitoren ndaj skamjes

Presidenti kinez Xi Jinping ka njoftuar këtë të enjte fitoren e betejës ndaj varfërisë në Kinë.

Më herët, në dhjetor të 2020-ës, kreu i qeverisë kineze tha se kishin arritur që të nxirrnin rreth 100 milion njerëz nga varfëria ekstreme.

Presidenti kinez u zotua në 2013-ën për të zhdukur skamjen ekstreme në vend deri në vitin 2020. Mediet vendase shkruajnë se fitorja është e madhe, pavarësisht se mund të ketë përjashtime në disa zona rurale.

Në një fjalim një orë të gjatë, presidenti Xi përshëndeti atë që ai e cilësoi një dëshmi e udhëheqjes së Partisë dhe avantazhet e sistemit politik të Kinës.

"Udhëheqja e Partisë Komuniste Kineze dhe sistemi socialist i Kinës janë garancitë themelore kundër rreziqeve, sfidave dhe vështirësive", tha Xi në Sallën e Madhe të Kuvendit Popullor të Pekinit.

Xi tha se Kina kishte investuar 1.6 trilion juanë, ose 224 miliardë dollarë, në luftën kundër varfërisë gjatë tetë vjetëve të fundit, por nuk dha shifra për shpenzimet e planifikuara gjatë pesë viteve të ardhshëm.

Një Byro e re Kombëtare për projektin e Rigjallërimit Rural u krijua të enjten në Pekin, duke zëvendësuar zyrën e Partisë për zbutjen e varfërisë që kishte funksionuar që nga viti 1993.

Në ceremoninë e së enjtes, Xi shpërndau medalje për figurat kryesore që morën pjesë në luftën kundër varfërisë, ndërsa për vendin, pabarazia në të ardhura shfaqet një problematikë e madhe.