Gjykata në Moskë refuzon apelin, lë në burg Navalny-n

Kryeopozitari rus, Aleksei Navalni, do të vazhdojë të vuajë dënimin me burg pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare.

Një gjykatë në Moskë konfirmoi të shtunën se 44-vjeçari nuk i përmbushi detyrimet e lirimit me kusht të 6 viteve më parë, dhe shmangur paraqitjen para policisë për muaj me radhë.

Opozitari e quajti vendimin absurd pasi vitin e kaluar ai e kishte të pamundur të raportonte te autoritetet përderisa po luftonte për jetën pas helmimit me substanca paralizuese.

"Vendimin e sotëm e prisnim dhe mendojmë se është i paligjshëm. Vendimi i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut nuk u ekzekutua dhe Aleksei mbetet në duart e shtetit," deklaroi avokatit i 44-vjeçarit.

Navalny tani do qëndrojë në një institucion penal për 2 vjet e gjysmë për shkak të një çështjeje e cila daton nga viti 2014, dhe që e vë atë nën akuzë për përvetësim të ardhurash.

Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut kërkoi këtë javë që opozitari të lirohet nga burgu pasi mund t'i rrezikohet jeta.

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian po ashtu pritet të hënën të takohen për të diskutuar mundësinë e aplikimit të sanksioneve kundër Kremlinit dhe njerëzve me pushtet ekonomik përkrah presidentit rus, Vladimir Putin.

Në javët e shkuara në mbarë Rusinë janë organizuar protesta qytetare në mbështetje të Navalnit, por sipas grupeve lokale për të drejtat e njeriut, ato janë shtypur me forca dhe mbi 10 mijë persona mësohet të jenë arrestuar.