Koreanoveriorët bëjnë kërdinë, hakerët e qeverisë vjedhin 1 mld dollarë nëpër botë

Amerikanët kanë akuzuar agjencitë komuniste të Koresë Veriore se angazhojnë hakera për të vjedhur bankat nëpër botë. Sipas amerikanëve, në vitet e fundit, hakerat komunistë kanë vjedhur 1.3 miliardë dollarë.

Departamenti amerikan i Drejtësisë ka akuzuar 3 programues koreanoverior për vjedhjen e më shumë se një miliard dollarëve. Sipas autoriteteve amerikane ata kanë kryer sulme kibernetike nëpër kompani të ndryshme financiare në botë.

Jon Chang Hyok, Kim Il dhe Park Jin Hyok akuzohen se kanë mashtruar dhe sulmuar banka ndërkombëtare, shkruante akuza e Departamentit të Shtetit. Autoritetet amerikane thonë se kanë të dhëna se prapa këtyre sulmeve qëndron vetë shteti komunist koreanoverior. Agjencia ushtarake komuniste dhe shërbimet inteligjente të vendit më të izoluar në botë, qëndrojnë prapa kësaj vjedhjeje ndërkombëtare.

Janë rreth 1.3 miliard dollarë dhe një pjesë tjetër në monedha virtual që hakerët komunistë kanë mundur të vjedhin nga banka e Bangladeshit dhe institucione të tjera të rëndësishme financiare.

Mënyra me anë të së cilës e kanë realizuar këtë vjedhje, sipas prokurorëve amerikanë është me anë të programeve si WannaCry, i cili në 2017-ën solli një alarm global për shkak se preku me miliona kompjutera anekënd botës. Po ashtu, prokurorët amerikanë kanë fajësuar komunistët koreanoveriorë për sulmin e vitit 2014 ndaj kompanisë kinematografike Sony Pictures Entertainment. Ky sulm ishte një hakmarrje për filmin që tallte diktatorin e tyre, Kim Jong Un, thonë prokurorët amerikanë.

Treshja e hakerave komunistë, sipas amerikanëve, ka ndërmarrë aktivitete keqbërëse nga vendndodhje në Rusi dhe Kinë, thotë Departamenti amerikan i Drejtësisë.