Infermierja suedeze e kovidit shijon e vetme Festivalin e Filmit
Një infermiere suedeze ka fituar një konkurs për të parë të gjithë programin e Festivalit të Filmit “Goteborg” nga një far, në një ishull të izoluar, në brigjet e Suedisë. Lisa Enroth u përzgjodh mes 12,000 fansave nga e gjithë bota që aplikuan për të parë listën me 60 filma të festivalit. Infermierja, e cila ka punuar në pavijonet Covid-19 gjatë pandemisë, tha se shpresonte të kënaqej "duke qenë pjesë e një realiteti krejtësisht të ndryshëm për një javë".
Enroth, e cila tha se ishte “shteruar nga energjia” për shkak të pandemisë, do të kalojë një javë duke jetuar vetëm në farin Pater Noster në ishullin Hamneskar, pa një telefon, kompjuter, libra ose ndonjë formë tjetër argëtimi.
Megjithatë, asaj do t'i jepet një tabletë, për periudha të kufizuara, në mënyrë që të mund të regjistrojë një ditar ose video ditore. Dhe një person tjetër do të jetë gjithashtu në ishull për arsye sigurie dhe do ta kontrollojë atë një herë në ditë.
Për të parë filmat, një ekran është vendosur në dhomën e fenerëve në majë të farit, ku Enroth mund të shohë një pamje 360 gradë të ambientit. Drejtorja e Përgjithshme e Festivalit, Mirja Wester tha se e vlerësoi të drejtë t'i jepej mundësia unike një prej shumë heronjve që punojnë në kujdesin shëndetësor. Ndërkohë këtë vit fetsivali nuk do të ketë shfaqje në kinema por i gjithë programi do të transmetohet në internet.