Po kërkon një punë, trajnim apo praktikë? "Dritarja e Mundësive" tashmë është e hapur edhe për ty

"Dritarja e Mundësive" është një nismë e marrë nga disa të rinj për tu ardhur në ndihmë bashkëmoshatarëve të tyre. Për të folur më shumë mbi këtë temë dhe për të kuptuar më shumë mbi këtë nismë mëngjesin e sotëm në emisionin "Ditë e Re" në RTV Ora kanë qenë të ftuar tre prej të rinjve qe morën inciativën për të zhvilluar këtë projekt.  Krah balerinës, Isida Mollaymeri e cila kësaj here shfaqet ndryshe nga sa jemi mësuar ta shohim ishin dhe gazetarja, Françeska Kordalli dhe menaxheri i këtij projekti, Kristi Mukollari.

Gjatë bisedës në studio Françeska tregoi se gjithçka ka filluar si një detyrë mësimore,  por më pas me angazhimin dhe kontributin e 36 studentëve  mori përmasa të tjera dhe tani mund të thuhet me plot gojë që "Dritarja e Mundësive" është një hapësirë ku të rinjtë do të gjejnë mundësi të shumta punësimi dhe praktika të cilat duhet theksuar që do të jenë me koston zero.

Gjithashtu menaxheri i këtij projekti shtoi se ky projekt do të vijojë më tej dhe nuk do të ndalen vetëm më qytetin e Tiranës, por do ta zgjerojnë në të gjithë vendin për tu dhënë të gjithë të rinjve mundësinë për një zhvillim profesional.

"Zgjodhëm të bëjmë diçka për Tiranën dhe si fillim nuk dinim ku të drejtonim fushatën tonë prandaj zhvilluam një anketim ku të rinjtë shprehën interesin më të madh më të madh në informimin në lidhje me mundësitë e zhvillimit profesional që ofron vendi. Ne jemi 36 studentë dhe fokusi i kësaj fushatë janë të rinjtë. Fokusi është zhvillimi profesional, dhe ne dëshirojmë që të hapim sa më shumë dritare"- tha Mukollari.

Duke mos harruar pa përmendur dhe faktin që mundësitë të rinjve në Shqipëri u mungojnë, Mollaymeri tha se kjo është një mundësi mjaft e mirë si për të rinjtë ashtu dhe për bizneset. Pasi, dhe bizneset ditët e sotme kanë nevojë për një staf të kualifikuar .

"Mundësitë u mungojnë të rinjve shqiptarë.  Kjo është një mundësi shumë e mirë për të rinjtë dhe bizneset. Ne u kemi ofruar bizneseve pa asnjë kosto mundësinë, pasi edhe për bizneset është e vështirë që të gjejnë staf"