Kemi më pak të prekur nga gripi sezonal
Një nga efektet pozitive të mbrojtjes nga koronavirusi është edhe ulja e numrit të të prekurve nga gripi sezonal. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, në qendrat shëndetësore të kryeqyteti janë paraqitur shumë më pak raste.
Kjo sipas mjekes së familjes Anjeza Frakulla vjen edhe si pasojë e masave distancuese.
"Një nga arsyet që ka ndikuar edhe në pjesën e rasteve të pakta të gripit sezonal është edhe pjesa e distancimit social që ka ardhur nga Covid-19, është pjesa e masave që janë marrë në bare, në restorante. Domethënë, masat që kanë qenë për Covid-19 kanë ndikuar edhe në pakësimin e rasteve të përhapjes së gripit sezonal," u shpreh ajo.
Por në javën e fundit thotë mjekja Frakulla, është vërejtur një shtim i numrit të pacientëve dhe mes tyre janë edhe ata që dyshohen me covid.
"Që nga e hëna vërejmë një rritje të numrit të personave të suspektuar për Covid. Temperaturat na bëjnë ne më të vështirë pjesën që të diferencojmë gripin dhe Covid. Gripi lidhet ndoshta me temperaturat e ulëta, por që në fakt do të cilësoja se nuk është në të njëjtat ritme siç ka qenë vjet," shtoi ajo.
Personat më të prekur prej virozave të stinës janë ata që janë në aktivitet të përditshëm për shkak të angazhimeve me punë.
Ndryshe nga vitet e tjera vërehet një ulje e moshave të treta që paraqiten në qendrat shëndetësore.
"Në përgjithësi është pjesa e grupmoshave aktive, që do të thoja pjesa nga 30 deri në 50 vjeç që është pjesa që janë akoma aktiv në punë, sepse pjesa e të moshuarve janë ndërgjegjësuar nga Covid. Më shumë rrinë në shtëpi, rruhen," vazhdoi mjekja.
Shenjat e ngjashme mes coronavirusit dhe gripit sezonal, kanë bërë që qytetarët të paraqiten te mjeku në momentin e parë të shfaqjes së tyre, duke bërë që pacientët të kurohen më shpejtë.