Kriza nga pandemia, industria e hotelerisë dhe baret në luftë për mbijetesë

Hoteleria dhe bar-restorantet janë ndër sektorët e ekonomisë europiane po e kalojnë më rëndë pandeminë e kovidit-19.

Përhapja e sëmundjes në ditët e para të vjeshtës detyroi rimbylljen e shumë bizneseve të fushës në shumicën e kontinentit.

Në Zvicër, presidenti i shoqatës për baret dhe restorantet thotë se po luftojnë për mbijetesë.

"Bizneset që janë pjesëtare tonat karakterizohen nga një gjendje përgjegjësie dhe dëshpërimi. Kanë përgjegjësi për punëtorët, për kostot që nuk i paguajnë dot, për të ardhmen. Është tepër vonë për 30 për qind të tyre, që në Gjenevë përkon me 600 kompani."- thotë Laurent Terlinchamp.

Studentët francezë që ndjekin specializimet në fushën e gastronomisë dhe të menaxhimit të bar-restoranteve po ashtu janë prekur nga izolimet e vazhdueshme prej pandemisë.

Vështirësia qëndron te gjetja e vendeve të gatshme për të ofruar periudhën e stazhit.

"Nëse nuk praktikohemi, do na mungojë një pjesë e madhe e trajnimit që marrim. Inkurajohemi nga mësuesit tanë duke bërë gjëra të tjera paralelisht, por nuk e është aspak e lehtë kur sheh  jashtë dritares se vendet ku ti dëshiron të kultivosh dije të reja, janë të gjitha të mbyllura."

Në mbarë Europën, ka pasur disa nisma të sektorit për të protestuar kundër qeverive përkatëse për ndihmë por edhe për qasje të tjera politike.

Gjatë javës, pronarët e bareve dhe restoranteve në kryeqytetin e Bullgarisë kanë planifikuar një marshim për liri, siç e quajnë, pasi qeveria nuk u ka dhënë një datë se kur mund të rihapen.

"Disa lëvizje janë planifikuar për 27 janarin. Nuk e di saktësisht, por do kenë të bëjnë me kufizimet kundër virusit dhe do ketë një demonstratë për të treguar se nuk do e durojmë më këtë trajtim. Ka arritur pika kur nuk kemi përkrahje nga shteti, jepen premtime, por ndihmat vazhdojnë e vonojnë."- thotë Martin Mihaylov.

Si pasojë e pandemisë, në 18 nga 27 shtetet e Bashkimit Europian po qëndrojnë mbyllur baret dhe restorantet, ndërsa në 9 vendet e tjera, bizneset operojnë me masa strikte.

Ndërkohë, vetëm në 10 muajt e parë të 2020-ës, dëmet në sektorin global të turizmit llogariten në 935 miliardë dollarë.