Pandemia dhe ndryshimet e habitshme në preferencat e fustaneve, eksperiencat në “Geraldina Sposa”
Mbrëmjen e sotme në emisionin "Why Not" në RTV Ora me moderatoren, Roza Lati ka qenë e ftuar një nga figurat më të njohura të eventeve shqiptare prej më shumë se dy dekadash, Marçela Lati.
Ajo tregoi se si pasojë e situatës të krijuar nga pandemia disa prej çifteve në vitin 2020 e shtynë dasmën për këtë vit. Disa nuse sipas Marçelës preferuan që ta bëjnë në datën që kishin planifikuar thjesht një festë të vogël me një numër personash të reduktuar.
E gjithë situata e pandemisë bëri që çiftet t'i jepnin një rëndësi më të madhe aktit të martesës sesa festës dhe kjo sipas Marçelës është një "e mirë" që pandemia i ka bërë çifteve.
"Ka qenë problematikë, ne jemi një nga sektorët më të goditur nga pandemia sepse kemi lidhje direkt me festat dhe grumbullimet. Megjithatë, njerëzit janë bërë kreativë gjatë 2020 ka patur dasma jo në numër të lartë ashtu si ne jemi mësuar të punojmë çdo vit, pra me një tjetër lloj intesiteti. Ka patur edhe nga ato nuse që e kanë spostuar për 2021 dasmën e tyre, gjithashtu ka patur edhe nga ato nuset e vendosura që kanë vendosur ta bëjnë dasmën në datën që kishin vendosur.
Pandemia pati dhe një "të mirë" në këtë situatë sepse i bëri çiftet të vlerësojnë më shumë aktin e martesës dhe më pak festën. Sepse në Shqipëri ne i jepnim më shumë rëndësi festës sesa aktit të martesës si martesë. Pra, bëhej festa shikonte lagjia dhe bëhej dasma ajo quhej e martuar, ndërkohë ajo nuk kishte qenë në gjendje civile për të firmosur aktin e martesës. Ndërsa tani për shkak të situatës i kanë dhënë rëndësinë që meriton të ketë akti i martesës"- tregon ajo.
Mirëpo, pandemia nuk ka ndryshuar "merakun" e nuseve për tu dukur sa më bukur në ditën e tyre më të rëndësishme. Ndryshe nga sa jemi parë të shohim nuset, me fustanët e bardhë me gurë dhe voluminozë ato në ceremoninë e tyre sipas Marçelës kanë preferuar të vishen me një veshje më minimaliste.
"Për këto situata kanë patur dhe veshje më minimaliste, koleksione të cilat në koleksionet perëndimore i gjen gjithmonë veshjet pantallonë xhaketë, fustane"- shton administratorja e “Geraldina Sposa”.