Conte siguron shumicën absolute në Dhomën e Ulët, 321 vota pro, prova e radhës në Senat

Qeveria Conte 2 merr votëbesimin në dhomën e deputetëve të parlamentit italian pas krizës qeveritare të nisur pak ditë më parë me tëheqjen e partisë Italia Viva të ish-kryeministrit italian Matteo Renzi nga mazhoranca qeverisëse.

Ministrat e Bujqësisë Teresa Bellanova e ajo e Familjes Elena Bonetti të Partisë Italia Viva dorëzuan mandatin e tyre duke hapur një krizë qeveritare të paprecedentë.

Mbi çka ka ndodhur gjatë ditëve të fundit kryeministri italian Giuseppe Conten ka referuar gjatë ditës së sotme në parlament duke e komentuar të papërgjegjshme një akt të tillë nga ana e një force politike aleate në projektin e tij politik.

"A ishte e nevojshme të hapej një krizë qeverisëse në një moment të tillë për vendin?" ka pyetur kreu i qeverisë italiane në fjalimin e tij përballë deputetëve.

"Kjo krizë provokon një tronditje të rëndë për vendin e rrezikon të provokojë dëme thelbësore për Italinë duke marrë vëmendjen e mediave e kancelarive të huaja" tha ai.

Kryeminsitri italian evokoi në fjalën e tij vizionin europist të programit politik të qeverisë së tij, reformat e kryera, masat e marra gjatë pandemisë dhe ndaj kërkoi  përgjegjësinë e opozitës për t'u drejtuar në zgjedhjet e saj nga një politikë që vihet në dispozicion të nevojave të popullit."

Pas debateve parlamentare ku morën fjalën deputetë nga të gjitha forcat politike, qeveria Conte 2 mori këtë mbrëmje votëbesimin e deputetëve me një mazhorancë prej 321 vota pro, 291 kundër e 27 vota abstenim.

Por lojën kryesore për vazhdimësinë e punës së saj, qeveria Conte 2 do ta luajë të martën 19 janar në dhomën e Senatit, ku sipas parashikimeve politike i mungojnë votat pro për të garantuar votëbesimin.