Trump fillon betejën për senatin, tubimi i parë elektoral pas 3 nëntorit
Në përballjen e parë me votuesit rreth një muaj pas zgjedhjeve të 3 nëntorit, presidenti Donald Trump i ka ftuar ata të mobilizohen për fitoren e Senatit si shpresa e vetme për republikanët.
Presidenti Donald Trump u ka kërkuar votuesve të mos lejojnë që opozita të marrë nën kontroll të plotë edhe Kongresin amerikan, përpos presidencës.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë vizitoi të shtunën shtetin e Xhorxhës ku zhvillohet gara për karriget boshe të Senatit, të cilat do përcaktojnë cila parti do e mbajë dhomën më të lartë legjislative.
Në shoqërinë e zonjës së parë, Melania, presidenti Tramp ftoi simpatizantët që të ruajnë avantazhin e deritanishëm duke votuar kandidatët republikanë.
"Shpërblimi më i lartë në këto zgjedhje do të ishte Senati, që nënkupton kontroll të plotë mbi vendin. Votuesit e Xhorxhës janë ata që do të caktojnë cila parti drejton komisionet, shkruan ligjet dhe mbikëqyr çdo qindarkë të taksapaguesve."
Në fjalimin e tij afro dyorësh, Trump komentoi edhe humbjen e Shtëpisë së Bardhë përballë rivalit demokrat Xho Bajden, i bindur se mund ta fitojë atë sërish.
Ai apeloi guvernatorin e Xhorxhës të anulojë rezultatin paraprak pasi kundërshtarët i fituan zgjedhjet me padrejtësi, dhe jo me vullnetin e popullit.
"Jemi viktima që të gjithë, edhe ju mijëra qytetarë që ndodheni këtu. Garën presidenciale na e vodhën dhe e manipuluan, por do gjejmë mënyra për ta fituar. Lëvizja jonë e madhe fillon këtu më 5 janar, me Senatin."
Kolegji Zgjedhor i Amerikës pritet më 14 dhjetor që të formalizojë fitoren e demokratit Bajden me 74 vota elektorale më shumë.
Simpatizantët e presidentët Trump, njësoj si ai vetë, mbeten ende me shpresë te fitorja.
"Nuk mund ta besoj kurrsesi që Bajdeni fitoi. Nuk mund të mbyllesh në bodrum, të kesh 10, 15 a 20 veta që të dëgjojnë në fushatë dhe të fitosh votën plebishitare."
"Parashikimi im është që Trumpi ka për të fituar. Bajdeni do të mundet në të paktën tre a më shumë shtete, të cilat do ta shfuqizojnë rezultatin paraprak."