Festa me kufizime në Itali, për dy javë të gjithë rajonet e verdha por ndalohen udhëtimet
Gati 1 mijë persona humbën jetën në Itali në 24 orët e shkuara si pasojë e Covidit-19. Kryeministri italian thotë se rruga për të dalë nga pandemia është e gjatë, ndërsa ka njoftuar masa të reja kufizuese për festat e fundvitit.
Italia ka shënuar një rekord të ri viktimash nga koronavirusi, duke e detyruar qeverinë të parashtrojë masa kufizuese për qytetarët si asnjë fundvit tjetër.
993 persona humbën jetën të enjten duke e çuar mbi 53 mijë bilancin e viktimave, megjithëse prirja për infeksionet e reja është drejt uljes.
Nga 21 dhjetori deri më 6 janar, do të ndalohen udhëtimet mes rajoneve italiane me rastin e festave të fundvitit, dhe ndalimqarkullimi do të aplikohet nga ora 22 deri në 5 të mëngjesit.
"Rruga për të dalë nga pandemia është e gjatë akoma, por duhet të ruhemi nga rreziku i një vale të tretë që mund të mbërrijë që në janar, e mund të jetë edhe më e egër sesa e para dhe e dyta."
Kryeministri italian, Giuseppe Conte, njoftoi se restorantet në disa zona mund të qëndrojnë hapur deri në orën 18, për zonat e tjera të vendit do të shërbehen vetëm ushqime për me vete, por festat e fundvitit do të duhet të kremtohen me pjesëtarët e tjerë të familjes.
"Këshillojmë fort që të mos prisni njerëz me të cilët nuk jetoni në shtëpi, sidomos gjatë këtyre festave kur kremtimet priren të gjallërohen shumë. Është masë thelbësore jo vetëm për veten, por për të mbrojtur ata që duam, prindërit, gjyshërit tanë."
Italia diagnostikoi të enjten 23 mijë raste të reja ditore me Covidin-19 dhe autoritetet paralajmërojnë se situata është serioze dhe vatrat e virusit, të vështira për t'u gjurmuar.