Zyrtari i policisë kalon në filtër, Pëllumb Seferi rezulton me pasaktësi në deklarimin e pasurisë

Drejtori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Policinë e Shtetit, u konstatua me probleme në deklarimin e pasurisë, në kuadër të vettingut. Sipas komisionit, Pëllumb Seferi nuk vërteton dot burimin e ligjshëm të parave që ka marrë hua për të blerë dy banesa. Në dy kriteret e tjera zyrtari i policisë rezultoi i pastër  përgjatë karrierës 22 vjeçare.

Pëllumb Seferi, Drejtor pranë Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Policinë e Shtetit është zyrtari i radhës që rivlerësohet në kuadër të vettingut.

Zyrtari i policisë që mban gradën drejtues i Lartë u përball me verifikimin në tri kriteret, të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale.

Trupa vlerësuese përbëhej nga Ana Kapaj kryesuese, Kozeta Ndoji relatore dhe Marjeta Gjelaj anëtare.

Në seancën dëgjimore ai kishte zgjedhur të përfaqësohej edhe me avokatin Fran Rista.

“Unë do të mbrohem vetë por do të asistohem edhe nga një avokat” tha Seferi.

Relatorja e çështjes Kozeta Ndoi tha se janë gjetur probleme me dy pasuri, konkretisht një banesë 1+1 të blerë në vitin 2003, ku Seferi ka deklaruar të ardhura nga bursa e përfituar gjatë studimeve në itali, hua nga kunati si dhe kursime familjare.

Sipas Komisionit mungojnë dokumentet që vërtetojnë bursën, dhe burimin e ligjshëm i huasë të marrë nga kunati, i cili para viteve 2000 ka punuar ilegalisht.

 Tjetër problematikë u konstatua me banesën tjetër 2+1 të blerë në vitin 2010, pas shitjes së apartamentit të mëparshëm.

Sipas relatores, për blerjen e saj janë marrë hua që nuk vërtetohen me burime të ligjshme të krijimit të tyre.

Për të vërtetuar pasaktësisë dhe mungesat e deklarimeve, Komisioni ndoqi një praktikë të re, duke i dhënë mundësinë Seferit të thërrasë dëshmitarë.

Katër dëshmitarë dhanë sqarime para Komisionit për burimin e parave që i kanë dhënë hua drejtorit të policisë për blerjen e shtëpisë, si dhe për kursimet e përfituara në bursa në Itali.

Për dy kriteret e tjera, Seferi rezultoi i pastër dhe me vlerësime në punën e tij të kryer përgjatë 22 viteve karrierë.

Drejtori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare është zyrtari i 31 që përballet me procesin e rivlerësimit, pasi më herët janë konfirmuar në detyrë 22 drejtues policie, 4 kanë dhënë dorëheqjen dhe 4 të tjerë janë përjashtuar.

https://youtu.be/XyeFZtVjHcY