"Ishim bërë miq përmes whatsapit, por nuk e kam pyetur kurrë për kë votonte", Rama homazh për Bashkim Koplikun
Kryeministri, Edi Rama, ka shprehur dhimbjen për vdekjen e politikanit dhe inxhinierit të njohur Bashkim Kopliku.
Në një mesazh homazh të postuar në facebook, Rama ka zbuluar se nuk ishte takuar kurrë me të por ishin miq përmes whatsapit, ku Kopliku i shpesh.
Rama: Bashkim Kopliku u nda nga jeta pasi humbi betejën me virusin vrastar. Nuk u takuam dot asnjëherë, por ishim bërë miq përmes whatsapit, ku ai më shkruante shpesh, me pak fjali, opionionit e vet kritik për punë të caktuara të qeverisë apo sugjerimin e tij në momente të nxehta politike.
Bashkimi ishte një demokrat sojli, prandaj edhe i papajtueshëm me kupolën e batakçinjve të PD, liberal i djathtë, antikomunist i paepur por po aq antifashist. Ndarja e tij me Partinë Demokratike, për të cilën kontribuoi fuqishëm në vitet e rrëmujshme pas krijimit të saj, ishte përveçse një refuzim thuajse përbuzës ndaj gjithçkaje mishëronte lideri i saj historik, edhe një mospajtim themelor me mungesën totale të identitetit të PD si parti e djathtë.
Nuk kam guxuar kurrë ta pyes për kë votonte, por di që distanca e tij ideologjike me PS ishte e pakapërcyeshme, ndërkohë që edhe për këtë arsye respekti krejt pa asnjë lloj interesi që më jepte në komunikimet tona, nuk e fsheh se ma përkëdhelte sedrën. Ai ishte një nga ata njerëz të rrallë sot, me virtytin e koherencës mes si fliste e si jetonte, burrë i ndershëm, fisnik nga ata kokëfortët deri në fund në të tijën, çka vihej re pa vështirësi edhe në ato që shkruante a thoshte kur e ftonin në ekrane - vite drite larg prej pazarxhiut tipik të kohëve që jetojmë, kategori e ulët e parimorëve mediatike, të cilët në mexhelis predikojnë virgjërinë teksa larg syve të publikut kurvërojnë me para, në këmbim të predikimeve të radhës. Do të më mungojnë mesazhet e Bashkimit, mikut që s'e takova kurrë, por e desha mu si një personazh libri, me të cilin mbetesh përgjithmonë në një lidhje të pakonfirmuar. U prehsh më në fund në paqe miku im.
Kopliku u nda nga jeta të shtunën pas një beteje të gjatë më virusin. Ai vdiq në avion gjatë udhëtimit drejt Italisë, ku ishte nisur për mjekim të specializuar.