Bombë me telekomandë në Vlorë, 35-vjeçari shmang atentatin pasi zbuloi eksplozivin në makinë

Një 35-vjeçar shmangu një atentat të mundshëm ndaj tij, pasi zbuloi në kohë një sasi eksplozivi të lidhur me celular poshtë makinës.Pronari i mjetit ka jetuar jashtë Shqipërisë dhe nuk rezulton i skeduar për ngjarje kriminale.

Një atentat me eksploziv u shmang në Vlorë. Një sasi e konsiderueshme lënde plasëse i ishte vendosur një mjeti në pronësi të 35 vjeçarit Sokol Binaj në lagjen “Hajro Çakërri”.

Burimet thanë se eksplozivi ishte i lidhur me celular me qëllim shpërthimin nga distanca.

Por fatmirësisht plani dështoi, pasi pakoja bombë u pikas nga pronari i mjetit.

Burimet thonë se ka qenë ora rreth 01: 30 pas mesnate, ku i riu po kthehej në banesë dhe ka vënë re diçka të dyshimte poshtë makinës që ishte e parkuar.

Ai ka njoftuar fillimisht policinë lokale, e cila ka ngritur një perimetër sigurie derisa mbërritën ekspertët nga Tirana që në orën 03:30 bënë shpërthimin e kontrolluar të eksplozivit.

Në dëshminë e parë në Polici, Sokol Binaj, citohet të ketë deklaruar se ai nuk ka konflikte me asnjë person, dhe nuk ka dhënë asnjë orientim për pistat e hetimit apo personat që i vunë bombën në makinë.

35 vjeçari nuk është i skeduar nga policia për ngjarje të mëparshme, ndërsa kishte dy vite që ishte kthyer nga jashtë shtetit.

Ndërsa policia i ka bazuar hetimet për identifikimin e autorëve tek gjurmët e mundshme që mund të jenë lënë në vendngjarje, dhe pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat në zonë janë të pakta.

Sulmet me bomba artizanale kanë qenë të shumta në qytetin e Vlorës.

Më 14 tetor një pako bombë u gjet pranë Pallatit të Kulturës, ndërsa mbeti e paqartë se kush ishte objektivi.

https://youtu.be/px0nkkPLglE