Rëndohet bilanci në Turqi, shkon në 91 numri i viktimave, 994 të plagosur

Rëndohet bilanci i viktima në Turqi nga tërmeti shkatërrimtar me epiqendër Detin Egje. Autoritetet turke raportojnë se 91 persona kanë humbur jetën për shkak të tërmetit në Izmir dhe 994  të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Tërmeti i fuqishëm që goditi të premten e 30 tetorit Detin Egje midis bregdetit turk dhe ishullit grek të Samos, kishte një magnitudë 6.6 të shkallës të Rihterit.

Mediat turke thanë se tërmeti u ndje në të gjithë rajonet e Egjeut dhe Marmaras, ku ndodhet edhe qyteti i Stambollit.

Tërmeti u ndje, gjithashtu, në të gjithë ishujt lindorë grekë, dhe madje edhe në kryeqytetin e Greqisë, në Athinë. Mediat greke thanë se banorët e Samos dhe ishujve të tjerë u larguan nga shtëpitë e tyre. Në ishullin Samos humbën jetën dy adoleshentë nga tërmeti, ndërsa disa të tjerë mbetën të plagosur mes tyre dhe një shqiptar.