Turqi/ Vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar
Për asnjë çast gjatë natës operacionet e kërkim shpëtimit në Izmir të Turqisë nuk u ndalën për gjetjen e të mbijetuarve pas tërmetit të së premtes në Detin Egje.
Lëkundja e fortë la pas dhjetëra viktima dhe qindra të plagosur, si dhe dëme materiale të konsiderueshme. Goditja më e fortë u regjistrua me magnitudë 6.6 e shkallës Rihter sipas autoriteteve të Turqisë dhe e pati epiqendrën afër ishullit grek të Samosit.
Lëkundjet tektonike u ndjenë edhe në Athinë rreth 300 kilometra larg, në Stamboll dhe në Bullgari.
Deri të shtunën në mesditë autoritetet në qytetin turk të Izmirit, raportuan për të paktën 25 të vdekur dhe mbi 800 të plagosur. Ndërsa në ishullin grek të Samosit u raportuan për dy fëmijë të vdekur. Midis të plagosurve është edhe një 15-vjeçar shqiptar i cili është dërguar për mjekim në një spital të Athinës.
Pas tërmetit banorët e zonave të prekura u njoftuan për një cunami. Ujërat e detit vërshuan fillimisht brigjet greke dhe më pas edhe rrugët bregdetare të Izmirit.
Në reagimin e tij të parë, presidenti turk Rexhep Taip Erdoan i siguroi qytetarët e prekur se do t’u vihet në dispozicion e gjithë ndihma e nevojshme për ta kaluar fatkeqësinë natyrore.
Fatkeqësia natyrore bëri që Greqia dhe Turqia t’i lënë pas tensionet e ditëve të fundit. Kryeministri grek Kyrioakos Mitsotakis i telefonoi presidentit turk Erdogan dhe i shprehu ngushëllimet. Mitsotakis tha se Greqia është gati për të ndihmuar në operacionet e kërkim shpëtimit.