BE kundër rimbylljes së kufijve
Bashkimi Europian është kundër rimbylljes së kufijve të brendshëm të unionit megjithëse kudo po rritet shpejt numri i të prekurve nga koronavirusi.
Javën e kaluar kontinenti raportoi mbi 1,3 milionë të infektuar të rinj, duke shtyrë qeveritë në mbarë Europën të rimendojnë kthimin e orarit policor dhe kyçjen e veprimtarive ekonomike.
Kryekomisionerja e BE-së, Ursula fon der Lajen, pas konsultave me 27 liderët e unionit, njoftoi se kufijtë duhen mbajtur hapur me çdo kusht për interesin tregtar.
"Mendoj se të gjithë kemi nxjerrë mësimet tona. U kuptua që herët sa shumë e dëmton izolimi tregun e përbashkët, qarkullimin e mallrave. Por virusin ne prapë nuk arritëm ta ndalim dot."
Shtetet anëtare e vunë theksin te informimi, testimi, gjurmimi teknologjik dhe karantinimi i personave të infektuar si mënyra më e mirë për të kontrolluar përhapjen e virusit.
Për vaksinat, fon der Lajen nënvizoi se do i shpërndahen 27 vendeve në bazë të popullsisë dhe sipas të njëjtave kushte, por shtetet u është kërkuar të përgatitin infrastrukturën e vaksinimit, pasi disa vaksina kërkojnë doza të ndryshme dhe që të ruhen në temperatura të veçanta.
Si pasojë e situatës me pandeminë, vendet më të rëndësishme të BE-së, si Italia, Franca, Gjermania dhe Spanjë, por edhe në Europën Lindore, janë miratuar kufizime të reja për qytetarët dhe bizneset.
Për të shmangur kolapsin e sistemeve të tyre shëndetësore, vendet e unionit kanë rënë dakord të financojnë me urgjencë transferimin e pacientëve me kovid-19 nga shtetet më të rrezikuara tek ato që mund të përballojnë nevojat e mëdha spitalore.