Presidencialet amerikane,Trump dhe Biden zbresin në Florida për fushatë

Shteti i Floridës se 29 votat e tij elektorale është kyç në zgjedhjet e së martës së ardhshme në Amerikë. Të dy kandidatët për Zyrën Ovale në 4 vjetët e ardhshë, Trump dhe Biden, kanë zbritur aty këtë të enjte.

Ndërsa na ndajnë vetëm pak ditë nga zgjedhjet presidenciale amerikane, presidenti Donald Trump dhe kandidati Joe Biden kanë zbritur në Florida për fushatë. Ky shtet konsiderohet kyç nga analistët amerikanë se cili do të ulet në karrigen e Dhomës Ovale.

Sondazhet e bëra publike nga mediet amerikane shfaqin një epërsi të kandidatit Biden në shkallë vendi, por gjithçka do të vendoset në shtetet që cilësohen si “fushëbeteja për presidencialet”.

Një sondazh i Reutersit, publikuar pak ditë më herët, tregonte se epërsia e kandidatit Biden ishte vetëm 2 % më e lartë se ajo e Trumpit në Florida, përkatësisht 49% për Bidenin dhe 47% për Trumpin.

Presidenti Trump do të organizojë një tubim në Tampa. Mijëra njerëz janë grumbulluar së bashku në tubimet e fundit të Trumpit, teksa shumë prej tyre shmangin mbajtjen e maskave, pavarësisht rekomandimeve të autoriteteve të shëndetit publik.

Kandidati Biden, në të kundërt, do të mbajë një tubim me makina në Tampa, ku të pranishmit do të qëndrojnë në makinat e tyre. Fushatës së tij i është bashkuar edhe ish-presidenti Barak Obama.

Më shumë se 76.5 milion qytetarë amerikanë kanë votuar deri më tani, duke sjellë një rekord historik. Me 29 votat e tij elektorale, shteti i Floridës është kyç në zgjedhjet e së martës së ardhshme.