"Shko ekzaminohu" marshimi sensibilizues kundër kancerit të gjirit
Në Shqipëri janë më shumë se 5 mijë gra që vuajnë nga kjo sëmundja e kancerit të Gjirit. Për të rritur ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit sot u mbajt një marshim në Elbasan nga organizata YWCA.
Edhe ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim iu bashkua këtij marshimi sensibilizues.
“Kjo është një sëmundje e tmerrshme por mund të bëhet diçka për të. Për cdo grua që ka mundësi do ta nxisja: Shko ekzaminohu" u shpreh ambasadorja.
Mbi 20 mijë gra janë ekzaminuar vitin e kaluar. Synimi i parë i programit të depistimit të hershëm të kancerit të gjirit është dyfishimi i numrit të grave të cilat kryejnë ekzaminimin e gjirit nëpërmjet mamografive”.
Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se tashmë për të gjitha gratë herceptina, një nga terapitë më të kushtueshme, sigurohet 100% falas nga shteti.
“Trajtimi i sëmundjeve tumorale dhe posaçërisht trajtimi për kancerin e gjirit ka qenë një prioritet i qeverisë shqiptare. Kemi arritur që të mbulojmë me terapi të targetuara siç është terapia e herceptinës për çdo grua që trajtohet me këto terapi, jo vetëm në Tiranë, por edhe në 7 njësi të kimioterapisë në spitalet rajonale, sepse qëllimi ynë është që qytetarët ti marrin shërbimet shëndetësore afër vendbanimit dhe ti marrin shërbimet falas për terapitë e tumoreve, të cilat janë bërë të mundura falë rritjes së financimit për sistemin shëndetësor dhe rritjes së financimit për trajtimin e tumoreve”, tha Manastirliu.