Homazhe për mësuesin francez, u vra për karikaturat e profetit

Vrasja horror e mësuesit francez, Samuel Pati, ka nxjerrë mijëra qytetarë në demonstrata në mbarë vendin, pavarësisht situatës me pandeminë. 47-vjeçari u ekzekutua nga një ekstremist i ri për shfaqjen e karikaturave të profetit mysliman para nxënësve të tij.

Qytetarë francezë, politikanë dhe personalitete të arsimit u mobilizuan të dielën nga e gjithë Franca për të denoncuar barbarinë e fundit të terrorit islamik në vend.

Mijëra vetë i bënë homazhe mësuesit të historisë, Samuel Pati, 47-vjeçarit të ekzekutuar të premten me prerje koke pse i tregoi nxënësve të tij karikatura të profetit mysliman, Muhamedit.

Marshimi nisi në Paris me praninë e liderëve të partive kryesore, madje edhe të stafit të revistës franceze "Sharli Hebdo", vetë viktimë e një sulmi terrorist edhe më fatal rreth 5 vite më parë.

Është e rëndësishme të tregojmë solidaritetin dhe kohezionin tonë social për lirinë e shprehjes, shekullarizmin, mësuesit dhe kundër ekstremizmit fetar, u shpreh ministrja franceze e Arsimit.

18-vjeçari Abdullak Anzorov u qëllua të premten për vdekje nga policia pak momente pas ngjarjes pasi kundërshtoi forcat e rendit duke i gjuajtur me pistoletë me plumba plastikë.

Autori i veprës makabër ishte me prejardhje çeçene dhe jetonte në Francë që nga 2008-ta.

Vitet e fundit dyshohet se ai ishte radikalizuar në aspektin fetar edhe pse nuk rezultonte i skeduar nga antiterrori francez.

Pikëpamjet radikale i kishte shfaqur të premten edhe ndaj presidentit francez, Emanuel Makron, duke e quajtur liderin që nxit urrejtjen për myslimanët dhe se do hakmarrej ndaj kujtdo që përqeshte Muhamedin.

Autoritetet thanë se kanë shoqëruar 11 persona në kuadër të hetimeve, mes tyre prindërit, gjyshin dhe vëllain e vogël të autorit, por edhe babain e njërës prej nxënëseve që ishte ankuar ndaj mësuesit të ndjerë për shfaqjen e karikaturave të profetit mysliman gjatë orës së mësimit.