Mësuesit iu pre koka, Franca: "sulm terrorist Republikës"
Një mësuesi iu pre koka në një lagje në veriperëndim të kryeqytetit francez, Paris, ndërsa siç raportojnë mediat vendore, më pas sulmuesi u qëllua për vdekje.
Viktima para ngjarjes kishte shfaqur në klasë para nxënësve karikatura të Profetit Muhamed.
Mësohet se mësuesi paraprakisht u kishte kërkuar nxënësve të besimit islam të dilnin nga klasa nëse i konsideronin fyese karikaturat.
Prokurorit francez kundër terrorizmit ka marrë në dorë hetimet.
Sulmi thuhet se ndodhi në orën vendore 17:00 të së premtes, pranë shkollës.
Ministri i Arsimit, Jean-Michel Blanquer, tha përmes një postimi në Twitter se vrasja e mësuesit është sulm ndaj Republikës franceze. Ai shprehu ngushëllime për viktimën dhe familjen e tij dhe u zotua të ruajë unitetin si përgjigje e vetme kundër “terrorizmit islamik”.
Në Parlamentin e Francës, deputetët e nderuan viktimën dhe e dënuan “sulmin mizor terrorist”.
Presidenti francez, Emmanuel Macron e vizitoi vonë në mbrëmjen e së premtes skenën e sulmit. Kreu i shtetit tha se mësuesit iu pre koka pasi ushtroi të drejtën e tij të shprehjes.
"Ata nuk do të fitojnë... Ne do të veprojmë," tha presidenti.
Ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin, i cili ishte duke udhëtuar drejt Marokut, u kthye me urgjencë në Paris.
Sipas agjencisë së lajmeve AFP, që citon policinë dhe prokurorët, viktima u gjet me kokën e prerë. Autori u përpoq të largohej pas krimit, por u ndalua nga policia që u alarmua nga reagimi i publikut. Kur policia i kërkoi të dorëzohet, sulmuesi kërcënoi edhe oficerët. Ata më pas e qëlluan me armë zjarri dhe e lanë të vdekur në vend.