Kanadaja embargo armësh Turqisë

Ditët e fundit kanë dalë prova në media se në konfliktin e armatosur në Kaukaz janë përdorur dronë kanadezë. Grupi kanadez i kontrollit të armatimit 'Project Ploughshares' tha përmes një deklarate se në bazë të videove të shpërndara nga ushtria e Azerbajxhanit duket qartë përdorimi i sistemeve të telekomanduara të shënjestrimit të prodhuara nga firma kanadeze 'Harris Technologies Inc'.

Në një reagim Ankaraja tha se po i qëndron pranë një aleati në konfliktin në Nagorno-Karabakh.

Pakënaqësinë për veprimin e Kanadasë, presidenti turk Tayip Erdogan ia shprehu kryeministrit Justin Trudeau. Sipas një deklarate të zyrës së Erdoganit, veprimi i Kanadasë nuk shkonte në një linjë me frymën e bashkëpunimit brenda aleancës.

“Gjatë telefonatës, Presidenti Tayyip Erdogan tha se vendimi i Kanadasë për të pezulluar eksportin e disa pajisjeve ushtarake për shkak të konfliktit Azerbajxhan –Armeni ... shkon kundër frymës së aleancës,” thuhet në njoftimin e presidencës.

Si Kanadaja ashtu edhe Turqia janë anëtarë të NATO-s.

Gjatë telefonatës që u zhvillua të premten në mbrëmje, Erdogan dhe Trudeau diskutuan mënyra për të përmirësuar marrëdhëniet dypalëshe si dhe shtimin e bashkëpunimit në sektorin e mbrojtjes. Ministria e Jashtme e Turqisë e akuzoi Kanadanë gjithashtu për standarde të dyfishta.

Eksportet ushtarake të Turqisë në Azerbajxhan janë gjashtëfishuar këtë vit, sidomos me shitjen e avionëve të telekomanduar. Vetëm muajin e kaluar Turqia i shiti Azerbajxhanit pajisje me vlerë 77 milionë dollarë.