OBT: Tregtia botërore bie 9,2%, Azia më pak e prekur nga pandemia, keq Evropa, Amerika

Tregtia globale do tkurret më pak këtë vit, por efektet e pandemisë do bëjnë që rimëkëmbja vitin e ardhshëm të jetë shumë më e dobët nga sa pritej.

Pavarësisht pasojave të pandemisë së kovidit-19, tregtia në botë gjatë këtij viti pritet të dobësohet por jo aq shumë sa parashikohej.

Organizata Botërore e Tregtisë njoftoi se për vitin 2020, volumi tregtar global do bjerë me 9,2 për qind për t'u rritur pastaj me 7,2 për qind në vitin 2021.

Në muajin prill kur pandemia ishte në kulmin e saj, ekspertët e OBT-së planifikonin se rënia do thellohej midis 13 për qind në skenarin më optimist, dhe 32 për qind, në atë më pesimist.

Kryeekonomisti i organizatës, Robert Kupman, tha se pasiguritë për rimëkëmbjen mbeten aty.

"GDP-ja e përgjithshme e botës paraqitet më keq sesa pritej por rënia në tregti, jo aq shumë. Krahasuar me krizën financiare të 2009-ës, tregtia kësaj here ka rezultuar e fortë, sidomos për disa produkte që ndihmojnë në zbutjen e efekteve të kovidit."

Rikthimi si në pranverë i masave kufizuese prej koronavirusit, ndërkaq, rrezikon ta ulë deri 3 për qind ekonominë globale.

Zv.drejtori i OBT-së vuri në dukje se rimëkëmbja e ekonomisë globale pas pandemisë kërkon dhënien fund edhe luftërave tregtare, si ajo që zhvillojnë prej vitesh tashmë SHBA-ja dhe Kina.

"Një nga rreziqet më të mëdha për ekonominë globale do të ishte rrëshqitja në proteksionizëm. E ardhmja kërkon bashkëpunim ndërkombëtar dhe OBT-ja është forumi ideal për të zgjidhur problemet e pazgjidhura që ka theksuar kjo krizë."

Për sa i përket efekteve të pandemisë, në rajonin e Azisë impakti këta muaj ka qenë modest me rënie të import-eksporteve me 7,1 dhe 6,1 për qind, ndërsa më rëndë rezulton të jenë prekur Evropa dhe Amerika Veriore ku eksportet u tkurrën përkatësisht me 24,5 dhe 21,8 për qind.