SHBA, paketa financiare në ngërç, presidenti Trump udhëzon republikanët të lënë negociatat

Shumë sektorë dhe qytetarë të prekur rëndë nga pandemia e koronavirusit në SHBA po presin asistencë nga shteti, por palët politike pritet t'i japin fund negociatave për paketën financiare.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka urdhëruar republikanët e tij të ndërpresin bisedimet me demokratët për sa i përket paketës financiare kundër kovidit-19.

Kryetari i Shtëpisë së Bardhë tha se ai është i gatshëm të japë miliardë dollarë asistencë për qytetarët dhe bizneset e vogla, por akuzoi opozitën se kjo e fundit kërkon para edhe për shtetet e qeverisura prej tyre të cilat nuk e kanë menaxhuar aspak mirë krizën epidemike në vend.

Sipas tij, kompromisin po e vështirëson më tej kryedemokratja e dhomës së ulët të Kongresit.

"Nensi Pelosi po kërkon 2,4 trilionë dollarë për të ndihmuar shtetet demokrate të keqqeverisura, me nivel të lartë krimi, pra para që nuk lidhen me kovidin-19. Kam udhëzuar që t'i shtyjmë negociatat pas zgjedhjeve."

Kur mbeten vetëm 26 ditë nga zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, Xho Bajdeni, rivali demokrat për Shtëpinë e Bardhë, e qortoi presidentin duke thënë se ai po i kthen shpinën amerikanëve.

Trump thotë se është gati të shpërndajë 135 miliardë dollarë për personat e mbetur pa punë nga pandemia dhe 25 miliardë dollarë të tjerë për kompanitë ajrore.

74-vjeçari vazhdon karantinën nga e enjtja e shkuar kur rezultoi pozitiv me virusin SARS-CoV-2, duke vënë në dyshim edhe mbajtjen e debatit të dytë presidencial në datën 15 tetor.

Presidenti ka thënë se do të marrë pjesë, por Bajdeni thotë se përballja nuk është e sigurt.

"Mendoj se po ta ketë akoma kovidin, nuk duhet të mbahet debati. Do duhen ndjekur rregulla shumë strikte. Herën e fundit u infektuan mjaft njerëz. Do ndjek udhëzimet e doktorëve."

Sipas një sondazhi të rrjetit amerikan, "CNN", 57 për qind e të intervistuarve pas debatit të parë presidencial thonë se janë të prirur të votojnë Bajdenin më 3 nëntor, dhe 41 për qind, Trumpin.