Sondazhi: Në të gjithë planetin mbizotën frika e pasiguria

Pasiguria ushqimore, frika në punë, kriza klimatike, sulmet kibernetike dhe shëndeti mendor janë disa nga temat që duket se shqetësojnë këdo anembanë planetit.

"Sondazhi Botëror për Rreziqet", i pari studim global në këtë fushë, u publikua të martën nga fondacioni britanik "Lloyd's Register" dhe kompania amerikane e sondimit, "Gallup".

Intervistat me rreth 150 mijë persona në 142 shtete zbuluan se ka një ndërlidhje të qartë mes perceptimeve për risqet dhe shpërndarjes gjeografike të personave.

27 për qind e grave të pyetura thonë se ndihen më të pasigurta dhe të frikësuara nga ngacmimet në ambientet e punës sesa 5 vite më parë.

Problemi i ushqimeve dhe ujërave të ndotur, ndërkaq, shqetëson edhe të intervistuarit në Shqipëri që shprehen se nuk kanë besim se qeveria po i adreson shqetësimet e tyre.

Për ata që përdorin internetin, 71 për qind identifikojnë lajmet e rreme, mashtrimet financiare dhe kanosjen nga interneti si rreziqet kryesore të botës virtuale.

Sipas drejtuesve të fondacionit "Lloyd's Register", perceptimet janë po kaq negative për çështjet e ndryshimeve klimatike dhe ndotjes, siç rezulton në Kosovë, por edhe për dhunën në punë.

"Rreth 70 për qind e popullatës botërore e sheh krizën klimatike si kërcënim serioz për vendet e tyre në 20 vitet e ardhshme. Skepticizëm ka më shumë në Amerikë dhe në Kinë."

"Dhuna dhe ngacmime në punë janë problematike. 50 për qind e punonjësve në disa shtete thonë se kjo u ka ndodhur, e sondazhi nxjerr një lidhje të ndërsjellë mes dhunës e ngacmimit në punë dhe përvojave të mëvonshme të problemeve të shëndetit mendor."

Intervistat globale për rreziqet u kryen vitin e kaluar përpara se bota të përfshihej nga pandemia e koronavirusit, por realizuesit e saj thonë se konkluzionet do u vijnë në ndihmë bizneseve, qeverive dhe akademikëve për të ndërmarrë nisma dhe politika për një botë më të sigurt.