Trump: 48 orët që vijnë, kritike, luftoj edhe për miliona të tjerët, do e mundim koronavirusin

Donald Trump thotë se ndihet më mirë teksa vazhdon të trajtohet në spital për simptomat e koronavirusit. Kryetari i shtetit amerikan shpreson të kthehet së shpejti në fushëbetejën politike një muaj nga zgjedhjet presidenciale. 

Presidenti amerikan, Donald Trump, u diagnostikua të enjten me kovidin-19 por vetëm tri ditë më vonë, ai mendon se gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar.

Me një videomesazh nga spitali ushtarak ku po trajtohet për simptomat e koronavirusit të ri, kreu i Shtëpisë së Bardhë falënderoi stafin mjekësor dhe ata që i uruan shërim të shpejtë.

Ai tha se pret 48 orët e ardhshme për të mësuar nëse sëmundja do i marrë për mirë apo keq.

"Kur erdha këtu nuk ndjehesha mirë. Tani po. Kjo që ndodhi u ka ndodhur miliona të tjerëve nëpër botë, dhe tani unë po luftoj edhe për ta. Këtë koronavirus apo sido ta quani, kemi për ta mundur dhe do ta mundim nga themeli."

Presidenti Trump u trajtua të shtunën me dozën e dytë të ilaçit eksperimental "Remdesivir", që ai e krahasoi me një mrekulli, të ardhur nga Zoti.

Mjekët informuan se e premtja ishte dita më e vështirë për kryetarin 74-vjeçar të shtetit, kur shfaqi temperaturë të lartë, lodhje dhe vështirësi në frymëmarrje, por pavarësisht këtyre, mësohet se ai nuk kishte dashur të shkëputej nga detyra për t'u kuruar në spital.

"M'u dha alternativa që të qëndroj në Shtëpinë e Bardhë. Më thanë qëndro i zoluar, mos dil, mos shko as në zyrën ovale, mos tako njerëz. Por këtë nuk e bëja dot. Unë doja t'i dilja në ballë betejës. Liderët i përballin problemet, dhe nuk ka lider të madh që e ka bërë ndonjëherë këtë."

Shtëpia e Bardhë publikoi gjatë ditës foto të presidentit duke vijuar normalisht detyrën, ndërsa simpatizantët e tij u mblodhën jashtë spitalit me flamuj dhe pankarta për ta inkurajuar.

Njëherësh me presidentin të enjten u infektua edhe bashkëshortja e tij, Melania, që po e kalon më lehtë sëmundjen, ndërsa është zgjeruar rrethi i ngushtë i këshilltarëve të zyrës ovale.

Nuk është identifikuar ende burimi i infeksionit, por të martën stafi i presidentit mori pjesë në debatin e parë presidencial për zgjedhjet e 3 nëntorit, që u ndoq nga një tjetër tubim i gjerë elektoral një ditë më pas.