Salvini para gjykatës

Udhëheqësi i opozitës italiane të ekstremit të djathtë Matteo Salvini doli para gjykatës të shtunën në mëngjes për akuzat e ngritura ndaj tij. Salvini ndeshet me akuzën e pengmarrjes dhe shpërdorimit të detyrës për veprime të kryera gjatë kohës kur shërbente si ministër i Brendshëm. Ai vonoi zbarkimin në tokën italiane të 131 imigrantëve në gusht të vitit 2019.
"Jam i qetë dhe gjakftohtë. Nuk besoj se kam shkelur ndonjë ligj, por kam bërë vetëm atë që italianët më kanë kërkuar,” shkroi të premten Salvini në twitter.

Gjykatësi i hetimeve paraprake në Katanja duhet të vendosë nëse çështja e Salvinit do të kalojë apo jo për gjykim. Mediat italiane raportuan se nuk pritet një vendim i menjëhershëm.

Në korrik, Senati italian vendosi t’i heqë Salvnit imunitetin.

Nëse çështja arrin në gjykatë dhe Salvini dënohet, ai rrezikon një dënim deri në 15 vjet burg.

Seanca dëgjimore në gjykatë shoqërohet nga një atmosferë e polarizuar politike, pasi partia Lidhja lëshoi një deklaratë ku ju bën thirrje mbështetësve në mbarë Italinë të udhëtojnë drejt Katanjas dhe të mbështesin Salvinin.

Të premten partia Lidhja organizoi mitingje në Sicili në mbështetje të Salvinit me moton "Italianët të parë: Sfida e lirisë."