Në pritje të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, Ministrja e Jashtme e Kosovës telefonatë historike me homologun izraelit
Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka zhvilluar sot të parën telefonatë historike me homologun e saj izraelit, pas gati rreth një muaj nga momenti kur presidenti Netanyahu u angazhua para presidentit Trump në Uashington për të njohur Kosovën si shtet të pavarur.
"Sot pata telefonatën e parë historike me Ministrin e Punëve të Jashtme të Izraelit Z. Gabriel Ashkenazi, e cila shënon një hap të rëndësishëm përpara në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Izraelit.
Diskutuam mbi rëndësinë e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit dhe ndikimin e madh që ka kjo marrëdhënie për të dy vendet tona, e ndërtuar mbi bazat e miqësisë së jashtëzakonshme midis popujve tanë paqedashës".
Kryediplomatja kosovare thotë se e siguroi homologun izraelit se Kosova është e përkushtuar me kapacitet të plotë për të ndërtuar bashkëpunim të ngushtë në të gjitha fushat me interes të përbashkët, duke nderuar gjithashtu mikun dhe aleatin e madh të përbashkët, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
"I konfirmova Z. Ashkenazi edhe qëllimin tonë për të hapur Ambasadën tonë në Jeruzalem. Pranova ftesën e Z. Ashkenazi për të vizituar Izraelin, dhe së bashku ramë dakord për të zyrtarizuar marrëdhëniet diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit në Jeruzalem sa më shpejt të jetë e mundur, dhe vendosëm të shkojmë përpara menjëherë me një grup të përbashkët pune për të materializuar këtë arritje".