Grindje fatale mes emigrantëvë pakistanezë dhe afganë në Bosnje, dy të vdekur

Strehimi i emigrantëve në Bosnjë-Hercegovinë është bërë problem tani që po afron i ftohti. Një grindje për kalimin e kufirit drejt Kroacisë ka përfunduar me vdekjen e dy emigrantëve dhe disa të plagosur.

2 persona mbetën të vrarë dhe 18 të tjerë u plagosën nga grindjet mes një grupi emigrantësh në Bosnjë-Hercegovinë.

Episodet e dhunës u raportuan të mërkurën në mbrëmje në qytetin veriperëndimor të Bihaçit ku azilkërkues nga Afganistani dhe Pakistani kanë ngritur tendat e tyre.

Sipas Ministrisë së Brendshme bosnjake, ishin disa shtetas pakistanezë që u sulmuan nga emigrantët teksa të parët kishin nisur rrugën për të kaluar kufirin drejt Kroacisë.

Sulmi me shufra hekuri dhe mjete të mprehta shkaktoi dy viktima, 10 persona u transportuan në spital me plagë më të rënda dhe 8 emigrantë më lëndime të ndryshme në trup.

"Dëgjuam të bërtitura, klithma dhe në fund edhe të shtëna armësh. Pastaj i telefonuam policisë. Gjendemi para rreziqeve të papritura dhe kemi frikë për familjen. Situata po përkeqësohet dita-ditës dhe askush nuk po ndërhyn që ta zgjidhë," tregon një banor i zonës.

Tensionet në qytetin veriperëndimor boshnjak janë të shpeshta për shkak të pozicionit kufitar me Kroacinë, një vend anëtar i Bashkimit Europian që e shohin si trampolinë drejt Perëndimit.

Në Bosnjë-Hercegovinë mbi 2 mijë emigrantë flenë në tenda në kushte të këqija jetese, megjithëse nga vendet e tyre të origjinës janë larguar pikërisht prej varfërisë dhe luftërave.

Të mërkurën, autoritetet boshnjake mbyllën një tjetër kamp emigrantësh të ndërtuar provizorisht në krahinat fqinje pasi nuk siguronte kushtet për dimër.

Shumica e të ardhurve strehohen kryesisht në zonat e Sarajevës dhe Krajinës pasi boshnjakët vetë e refuzojnë ngritjen e kampeve afër qendrave të tyre të banimit.

Bashkimi Europian e ka mbështetur me 60 milionë euro Bosnjë-Hercegovinën për ta përballuar situatën në bashkëpunim me Organizatën Botërore për Emigracion.