Athinë, nxënësit përleshen me policinë, sulm me molotov
Qindra nxënës protestuan dhe u përleshën me policinë në qendër të Athinës. Ata akuzojnë autoritetet për masa të pamjaftueshme për të penguar përhapjen e koronavirusit nëpër klasa. Protestat kanë nisur që ditën e parë të vitit të ri shkollor.
Qendra e Athinës u kthye në arenë lufte gjatë përleshjes së protestuesve me policinë për masat e papajtueshme anti-covid në klasa. Protestuesit e sulmuan policinë me bomba molotov gjatë marshimit përpara parlamentit, ndërsa forcat e rendit u kundërpërgjigjën me gaz lotsjellës.
Qindra nxënës po protestojnë për një sërë çështjesh dhe kërkojnë më shumë masa për të parandaluar përhapjen e koronavirusit në shkolla.
Nxënësit që kanë organizuar protesta që kur shkolla u hap më 14 shtator, thanë se numri nëpër klasa duhet të ulet ndërsa distancimi fizik për të luftuar infektimin duhet zbatuar më mirë. Disa nxënës kërkojnë që të mos mbajnë maska në klasë nëse zbatohet distancimi fizik.
Qeveria tha të mërkurën se nëse mësimi nuk zhvillohet për shkak të protestave, ai do të zëvendësohet nëpërmjet klasave on line, gjatë fundjavës apo ditët e pushimit.
Sipas rregullave, nxënësit e të gjitha niveleve duhet të mbajnë maska që prej fillimit të vitit shkollor më 14 shtator.
Rastet e reja të infektimit me koronavirus në vend po shënojnë rritje progresive, sidomos në Athinë, duke i nxitur autoritetet të vendosin masa kufizuese për disa rajone. Vetëm të mërkurën, Greqia regjistroi 354 raste të reja me koronavirus, duke arritur nivelet e muajit shkurt.