Zgjerohet rrethi i hetimeve për “Vollgën”, tre gjyqtarë nën akuzë
Tre gjyqtarë të Gjykatës së Durrësit janë vënë zyrtarisht nën hetim nga Prokuroria, pasi akuzohen për shpërdorim detyre në lidhje me ish-Hotel Vollgën.Hetimet po zhvillohen në lidhje me mënyrën e mënyrën e tjetërsimit të truallit dhe godinës së ish-Vollga në qendër të qytetit, ndërsa ngrihen dyshime mbi vendimin e gjyqtarëve për këtë çështje.Në deklaratën e saj, Prokuroria sqaron se gjyqtarët e çështjes janë: Dhurata Bilo, Vladimir Skënderi dhe Ndue Gjura, të cilët sipas organit të hetimit, vendimi i tyre është marrë në kundërshtim flagrant me ligjin.Prokuroria:Në një proces civil që ka zgjatur për disa vite, dy palë kanë pretenduar pronësinë mbi truallin dhe objektin. Konkretisht, Mohammmed Abdullah Bavazeri, përfaqësues i “Saudi Brother Commercial Company” dhe shtetasi Zanmir Hasa, janë përballur në gjykatë me pretendimet e tyre dhe çështja ka arritur deri në Gjykatën e Lartë.Por, Prokuroria e Durrësit ka konstatuar se, ndërkohë që po zhvillohej shqyrtimi gjyqësor në Gjykatën e Lartë, gjykata e Durrësit, për të njëjtin objekt, ka marrë vendimin nr. 449, dt. 18.02.2013, në bazë të të cilit urdhërohet Hipoteka e Durrësit të regjistrojë si pronar në këtë pronë shtetasin Mohammed Abdullah Bavazer, duke fshirë automatikisht nga regjistri hipotekor emrin Zanmir Hasa, i cili rezultonte deri në atë kohë si pronar pranë ZVRRP Durrës.Prokuroria e Durrësit dyshon se vendimi nr. 449, dt. 18.02.2013 i gjyqtarëve Dhurata Bilo, Vladimir Skënderi dhe Ndue Gjura, është marrë në kundërshtim të hapur e flagrant me ligjin, pasi nuk referohet në asnjë bazë ligjore dhe në dijeni të plotë të ekzistencës së një gjykimi paralel, i cili ndodhej në Gjykatën e Lartë.Prokuroria e Durrësit vlerëson se vendimi gjyqësor i mësipërm nuk ka asnjë bazë ligjore, pasi në asnjë dispozitë të Ligjit nr.7843, dt.13.07.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” nuk parashikohet koncepti i “fshirjes” së një regjistrimi të kryer apo “anullimi” i fshirjes.Në vlerësimin e prokurorisë, shkelja është e dukshme, pasi gjykata, në asnjë moment të vendimit të saj, nuk ka shprehur se në çfarë dispozite e bazon vendimmarrjen e saj konkrete për anullimin e fshirjes së kryer nga ZVRPP Durrës.Prokuroria e Durrësit, deri në këtë fazë të hetimit, ka krijuar dyshime të arsyeshme se ky vendim i gjykatës është marrë haptazi në kundërshtim me ligjin, pasi, duke mospasur asnjë bazë ligjore, gjykata ka vendosur diçka të cilën nuk mund ta vendoste në asnjë rast.Ky veprim i gjykatës është kryer me dijeni të plotë të paligjshmërisë nga ana e saj, pasi vetë gjykata në vendim është shprehur se zgjidhja përfundimtare e çështjes do të sigurohet pasi të shqyrtohej nga Gjykata e Lartë vendimi nr.433, dt.13.03.2002 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, në zbatim të të cilit, Hotel Iliria (ish-“Vollga”) ishte regjistruar në emër të Zanmir Hasës.Pra, nga njëra anë gjykata ka pranuar se zgjidhja përfundimtare e çështjes do të vinte pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të konfliktit të themelit nga ana e Gjykatës së Lartë dhe nga ana tjetër, po kjo gjykatë, ka vendosur fshirjen e regjistrimit të pronës nga emri i Zanmir Hasës dhe regjistrimi në emër të shoqërisë Saudit Brothers Commercial Company.Krahas hetimit të nisur tashmë, Prokuroria do të njoftojë Presidentin e Republikës dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë mbi dyshimet e saj për vendimmarrjen e tre gjyqtarëve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.
/Ora News/