Gaçi: Mbrojtëm votën me njerëz influentë. Duhej t'i rezistonin banditëve të PD-së

Deputeti i PS-së Artan Gaçi deklaron se për të mbrojtur votën në 2013 që hidhej për Partinë Socialiste kontaktuam njerëzit më influentë në komunitetet e tyre për të ruajtur votën.Në një intervistë për gazetën “Panorama” Gaçi thotë se do të ishte dramë nëse Sali Berisha do të fitonte zgjedhjet e 23 qershorit.Pyetjes: Nga opozita pati akuza për deputetë të inkriminuar në PS, ndërkohë që deputeti Ndoka dorëzoi mandatin, duke pranuar se kishte bërë burg për tre vjet në Itali, ndërsa deputeti Prenga u përfshi në një konflikt të armatosur. Cili është qëndrimi juaj për dekriminalizimin e Kuvendit? Gaçi e nis përgjigjen: "Dua të shoh në një këndvështrim tjetër duke mos parë pasojë, por duke u nisur nga shkaku pse erdhëm në këtë situatë"  Pasi akuzon PD për vjedhjen e zgjedhjeve në 2009 dhe 2011, Gaçi komenton situatën në zgjedhjet e 23 qershorit:  "Unë e kam bindje se nuk do të ekzistonte më opozita nëse populli na votonte dhe bandat tjetërsonin votën. Këtu luheshin fatet e vendit dhe jo ato të Partisë Socialiste. Imagjinoni se çfarë dite do të ishte nëse më 24 qershor 2013 fitues do të shpallej Sali Berisha?Çfarë drame do të ishte për shqiptarët?! Ne do ta lejonim këtë rrënim të mëtejshëm të vendit?! Atëherë për të mbrojtur votën që hidhej për Partinë Socialiste ne kontaktuam njerëzit më influentë në komunitetet e tyre për të ruajtur votën. Na duheshin njerëzit që rezistonin presionit dhe kërcënimeve të banditëve të PD-së"