NGA HASHASHI TEK PLANE VRASJESH GJKKO: 31 vite e 4 muaj burg burg 5 të arrestuar të “Revanshit”
GJKKO dënoi me gjithsej 31 vite e 4 muaj burg pesë anëtarë të një grupi kriminal të goditur gjatë operacionit REVANSHI, për kultivim kanabisi, armëmbajtje pa leje dhe sigurim kushtesh për vrasje. Mes të dënuarve janë edhe familjarë të një ish deputeti.
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë vendimin për një fraksion të dosjes së njohur si “Revanshi”, duke dënuar pesë anëtarë të grupit kriminal për vepra që përfshijnë kultivimin e bimëve narkotike, armëmbajtjen pa leje dhe sigurimin e kushteve për kryerjen e vrasjeve.
Mes të dënuarve janë edhe vëllai dhe kushëriri i ish-deputetit socialist Eduard Ndreca.
Elvis Ndreca dhe Edison Muçeku u dënuan me nga 8 vite burg, të reduktuara në 5 vite e 4 muaj, ndërsa Armando Ndreca mori 11 vite burg, që me gjykim të shkurtuar u ulën në 7 vite e 4 muaj.
Ish-efektivi i RENEA-s, Adrian Pikli, dhe Devis Bajramaj u dënuan me nga 10 vite burg, dënim që u ul në 6 vite e 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Sipas hetimeve të SPAK, grupi ka qenë i përfshirë në disa episode kriminale gjatë viteve 2020–2021. Më 4 nëntor 2020, në Urën e Tapizës në Fushë-Krujë, Albert Zaja dhe persona të tjerë dyshohet se tentuan të vrisnin me armë zjarri Durim Bamin dhe Ervin Kodrën.
Prokuroria e Posaçme thotë se gjatë periudhës maj–korrik 2020, Albert Zaja dhe Edison Muçeku siguruan mjetet për vrasjen e Hamza Terziut, ndërsa në muajt korrik–gusht Elvis Ndreca siguroi mjetet për atentatin ndaj Durim Bamit.
Në të njëjtën dosje, SPAK akuzon Armando Ndrecën se organizoi dhe financoi prodhimin dhe shitjen e 243 kilogramëve kanabis në Lezhë gjatë tetorit 2020. Ndërsa Devis Bajramaj dhe Adrian Pikli dyshohet se janë përfshirë në trafikimin e armëve dhe municioneve, të cilat u janë shitur edhe personave me precedentë penalë.
Për Albert Zajën, i përfshirë në të njëjtën çështje, procedimi është veçuar dhe gjykimi vijon në një dosje të ndarë.
