Detaje nga vr*sja me a*më në Kurbin, 40-vjeçari u q*llua pranë hyrjes së pallatit. Policia identifikon autorin

Policia thotë se ka zbardhur atentatin në Laç, ku mbeti i vrarë 40-vjeçari Ilir Gjini, i njohur me katër identitete. Si autor i dyshuar është shpallur në kërkim Emiljan, alias Artur Suti, i cili sipas hetimeve e ekzekutoi viktimën me shtatë plumba dhe vijon të jetë në arrati.
Detaje nga vr*sja me a*më në Kurbin, 40-vjeçari u q*llua

Emiljan, alias Artur Suti, personi që shihni në këtë foto, është shpallur në kërkim si autori i dyshuar i ekzekutimit në Laç të 40-vjeçarit Ilir Gjini, i njohur gjithashtu edhe me mbiemrat Kokaj, Lika dhe Nure.

Rindërtimi i dinamikës së ngjarjes zbuloi se Suti, rreth 40 vjeç, e priti shënjestrën pranë banesës dhe e sulmoi me pistoletë sapo parkoi mjetin me të cilin udhëtonte dhe u nis drejt hyrjes së pallatit.

Ilir Gjini rezulton se ka tentuar të largohet, por autori i dyshuar e ka ndjekur dhe ka vijuar ta qëllojë, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.

Burime pranë hetimit thanë se 40-vjeçari, që ishte objektivi i sulmit, mori shtatë plumba në trup dhe ndërroi jetë gjatë transportimit për në spital.

Pas krimit, Artur Suti, i cili banonte në të njëjtën lagje me viktimën, dyshohet se është larguar në këmbë dhe aktualisht ndodhet në arrati.

Motivi i krimit mbetet ende nën hetim, por grupi hetimor është përqendruar te një konflikt që dy burrat raportohet se kanë pasur më herët, si edhe te veprimtaria e tyre jashtë vendit.

Në kuadër të hetimeve janë shoqëruar në komisariat nëna dhe vëllai i autorit të dyshuar, ndërsa kontrollet për lokalizimin dhe arrestimin e tij vijojnë me intensitet.

Artur Suti është vëllai i Gentian Sutit, i konsideruar si një prej personave më të fortë të Laçit.

Në vitin 2019, dy vëllezërit, së bashku me një të afërm të tyre, vranë kushërinjtë Mikel dhe Jani Jushi, ngjarje në të cilën Gentian Suti mbeti i plagosur.

Në vitin 2010, vëllezërit Suti u arrestuan dhe u akuzuan për tentativë vrasjeje, pasi hapën zjarr ndaj Policisë së Shtetit, krahas akuzave për armëmbajtje, fyerje dhe mosbindje ndaj urdhërit të policisë

Për këto vepra penale, Prokuroria kërkoi dënimin me 21 vite burg për Artur Sutin dhe 20 vite burg për Gentian Sutin, por Gjykata rrëzoi pretencën.

Artur Suti u dënua me vetëm pesë vite burg, ndërsa i vëllai me katër vite heqje lirie për veprën penale "Kanosja për shkak të detyrës".

Sipas policisë Artur Suti ka gjithashtu precedent penal për armëmbajtje pa leje, rezulton se është arrestuar në Belgjikë për vjedhje, ndërsa në vitin 2011, i ka shpëtuar një atentati pranë Komisariatit të Policisë së Kurbinit.