Ibrahimaj: Rilindja urbane solli ekonomi për bashkitë, uli papunësinë e krijoi qendra të reja turistike
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se programi “Rilindja 2.0” synon të vendosë në qendër zhvillimin ekonomik lokal përmes rijetëzimit të hapësirave urbane dhe shfrytëzimit të potencialeve të bashkive në të gjithë vendin.
Në fjalën e saj gjatë prezantimit të programit “Rilindja 2.0” ku merr pjesë edhe kryeministri Edi Rama, ministrja Ibrahimaj tha se “ky program i ri që prezantohet sot pa diskutim është vijimi i një politike e cila ka qenë e suksesshme”.
“Që në fillim të mandatit të parë qeveria shqiptare e inicioi programin e rilindjes urbane pra Rilindja 1.0 i cili ishte një program që nga shumëkush u diskutua, nga shumëkush vendosi pikëpyetje mbi pse duhej që të kishte një investim kaq të madh në nivel lokal dhe të shpenzoheshin fonde publike kaq shumë për një program për rivitalizimin e bashkive. E vërteta është që shumë vite mbrapa ne kemi një situatë, e cila ka ndryshuar tërësisht. Investimet që u bënë në të gjitha bashkitë e vendit sollën më shumë ekonomi për secilën nga bashkitë”, theksoi Ibrahimaj.
Ibrahimaj u shpreh se “ne sot kemi qendra të reja turistike, të cilat nuk kanë pas ekzistuar më parë. Impakti që rilindja urbane dha në ekonomitë lokale është shifra e normës së papunësisë apo shifrat e numrit të bizneseve apo edhe vlera e shtuar që gjenerohet në nivel bashkie vetëm nëpërmjet sektorëve, të cilët u prekën nga rilindja urbane dhe konkretisht nga turizmi”.
“Në Durrës norma e papunësisë në vitin 2016 ishte 14.9% ndërsa sot ajo është 6%. Në Fier norma e papunësisë ishte 13% ndërsa sot ajo është 3.9 %, Gjirokastra ka qenë një normë papunësie 13.5% ndërkohë që sot e ka 3.5%. Shkodra 12.8 sot është 6.3 e kështu me radhë, Vlora, Tirana po ashtu janë shifra të cilat tregojnë për një nivel punësimi më të lartë”, tha Ibrahimaj.
Ministrja Ibrahimaj bëri të ditur se rilindja urbane ka sjellë më shumë ekonomi për vendin dhe në fakt programi që na prezantua sot është një program i cili vërtet flet për identitet, për rivitalizim, por e vërteta është që të gjithë komponentët e këtij programi kanë një impakt ekonomik dhe sjellin zhvillim ekonomik.
“Prandaj është shumë e rëndësishme që te gjithë komponentët të ndiqen ne mënyrë të vazhdueshme. Ne duam duam që rritjen ekonomike ta kemi të qëndrueshme. Ne duam të ndërtojmë instrumente që të vijojë zhvillimi ekonomik i vendit dhe ky duhet të jetë gjithëpërfshirës. Situata që ka sot ekonomia shqiptare është disi e polarizuar. Pavarësisht se janë krijuar potenciale nëpër qendra urbane dhe të tjera Tirana bën gjysmën e GDP-së së vendit. Tirana është një qytet, i cili të ardhurat për frymë i ka 40% mbi mesataren e vendit dhe gjithashtu është një qytet, i cili në GDP rritet më shpejt sesa ekonomia”, nënvizoi ajo.
“Ne duam që këtë ritëm ta ndjekin të gjithë qendrat e tjera, të gjithë bashkitë e tjera dhe unë besoj fort që nëpërmjet këtij programi ne do te arrijmë që te aktivizojmë mundësi, asete, kapitale të cilat janë aty dhe janë të pashfrytëzuara që mund të japin më shumë mundësi jo vetëm për bashkitë të cilat nëpërmjet këtij programi do të kenë qasje më të hapur drejt zhvillimit ekonomik dhe drejt gjenerimit të të ardhurave, por edhe për bizneset të cilat do të gjejnë potencial të ri për zhvillimin e tyre”, tha Ibrahimaj.
