Dyfishohen pagesat për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe njihen kontributet për 14 mijë ndihmës personalë
Nga 1 korriku 2026, pagesa mujore për 11 mijë fëmijë me aftësi të kufizuara është dyfishuar, ndërsa 14 mijë ndihmës personalë do të përfitojnë njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Ministrja Evis Sala tha se masat e reja synojnë mbështetje më të gjerë dhe trajtim të barabartë për familjet.
Nga 1 korriku 2026 pagesa mujore për 11 mijë fëmijë me aftësi të kufizuara është dyfishuar ndërsa do të njihen kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për 14 mijë ndihmës personalë, të cilët kujdesen për fëmijë dhe të rritur me aftësi të kufizuara.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, zhvilloi një bashkëbisedim me prindër të fëmijëve me aftësi të kufizuara në Qendrën e Shërbimeve Komunitare të Integruara në Prush për ti informuar me masat e reja të miratuara nga Qeveria Shqiptare
Ministrja Sala nënvizoi se kjo është hera e parë që mbështetja shtrihet në mënyrë gjithëpërfshirëse për të gjithë ndihmësit personalë, pa dallim diagnoze apo moshe të personit që përfiton kujdes, duke garantuar trajtim të barabartë dhe më shumë siguri sociale për familjet.
Gjatë diskutimit u vlerësua modeli i Qendrës së Shërbimeve Komunitare të Integruara në Prush, si një shembull i ofrimit të shërbimeve sociale pranë komunitetit, me synim përfshirjen, rehabilitimin dhe zhvillimin e potencialit të çdo fëmije.
Këto masa financohen në kuadër të rritjes me 8.9 miliardë lekë të Buxhetit 2026 për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, cka sipas qeverisë mundëson zgjerimin e mbështetjes sociale, vijimin e politikës së rritjes së pagave në sistemin shëndetësor dhe investime të reja në shërbimet publike.
